‘Shpërthen’ Faruk Statovci: Nuk shkohet përpara me paga 170 euro

Në klubin e Vushtrrisë ditën e djeshme ndodhën ndryshime në stafin teknik. Trajneri Bekim Shotani dhe ndihmësi i tij, Faruk Statovci, dhanë dorëheqje.

Drejtimin e vushtrriasve e mori trajneri Isa Sadriu.

Në një prononcim për Gazetaolle.com, Faruk Statovci, ka treguar arsyet e largimit nga klubi. “Arsyeja e dorëheqjes sime është mos-organizimi i mirë brenda klubit. E kemi filluar me kryetarin Bekim Pantina, me të cilin jam marrë vesh për një rrogë e të cilën nuk e kam konsideruar rrogë për social”, nis bisedën për ‘Olle’ ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Faruk Statovci.

Ndryshime muaj më parë pati edhe në kryesinë e Vushtrrisë, ku kryetar u emëruar Agron Selimi. “Me kryesinë e re është fituar vetëbesimi. Rrogën e parë edhe pse e kemi marrë me vonesë, gjithsesi ka qenë në rregull. Kujtojë se një javë para ndeshjes me Feronikelin, kemi qenë në pozitën e katërt. Kryesia pastaj është vonuar me paga dhe lojtarët kanë hyrë në bojkot. Aso kohe unë dhe trajneri Bekim Shotani, kemi menduar se nuk është mirë, por lojtarët kanë patur të drejt. Pas atij momenti, ekipi është thyer. Të gjithë lojtarët në ekip e kanë patur pagën 200 euro kurse në bankë i kanë marrë 170 euro. Ata e kanë dhënë më shumë se maksimumin. Një kryesi me 4 mijë euro buxhet, nuk mund të shkojë përpara. Jemi klubi me buxhetin më të ulët ndoshta edhe në Ligën e Parë. Deri këtu kanë qenë kufijtë”, shtoi Faruk Statovci.

Ky trajner në këtë vit u përshëndet nga futbolli aktiv pikërisht nën fanellën e Vushtrrisë. “Dua që nëpërmjet kësaj interviste, t’i falënderojë të gjithë në Vushtrri. Unë nuk jam larguar për shkak të trajnerit të ri, Isa Sadriu, të cilin e kam shok dhe kam raporte shumë të mira më të. Uroj që klubi i Vushtrrisë të shkojë shumë përpara pasi që aty kam kaluar mirë edhe si lojtar edhe si trajner”, përfundoi Faruk Statovci, i cili karrierë si futbollist ka bërë edhe jashtë Kosovës. (Gazetaolle.com).