Shpëtoi 60 fqinj, por muri i katit të tretë e zuri poshtë e i mori jetën, sapo nxori xhaxhanë e bllokuar  

Një tjetër histori e dhimbshme vjen nga Turqia, që tregon më së miri bashkimin e madh njerëzor që solli kjo ngjarje e 6 shkurtit, që turqit e kanë cilësuar si “fatkeqësia e shekullit”.

Bëhet fjalë për Burhan Polat, një shtetas turk, i cili arriti të shpëtojë 60 persona të bllokuar në shtëpitë e tyre në një pallat 6-katësh, por që fatkeqësisht nuk do të jetonte dot vetë.

Tragjedia ndodhi në lagjen “Islahiye” të Gaziantepit, ku Polat humbi jetën duke u rrëzuar nën murin e betonit pasi doli nga ndërtesa, ku kishte shpëtuar dhjetëra persona.

Ai jetonte në katin e tretë të këtij pallati dhe kur ra tërmeti, pasi pa që bashkëshortja dhe fëmijët ishin mirë dhe të pa rrezikuar, vrapoi drejt kateve të sipërme për të shpëtuar fqinjët e tij të mbyllur nëpër banesa.

Ai shkelmoi dyer e mure që nuk hapeshin si pasojë e lëkundjeve, duke arritur të nxjerrë prej andej rreth 60 persona, por teksa nxirrte nga godina xhaxhanë e tij, muri i katit të tretë papritur u këput dhe e zuri atë poshtë, duke i marrë jetën.

Ai u nxor nga rrënojat nga të tjerë, dhe u nis për në spital, por fatkeqësisht nuk ia arriti të mbijetojë.