Si të kujdeseni për trupin në ditët e ftohta?

Dimri dhe ditët e ftohta po afrohen çdo ditë e më shumë. Dëshira për të pasur një trup sa më të bukur është po aq e fortë sa edhe në stinët e tjera. Por të ngrënit, humori i keq dhe komoditetet që ke ta bëjnë të vështirë realizimin e qëllimit. Megjithatë me disa këshilla tepër praktike ju mund të keni një trup të bukur edhe në ditët e ftohta. Mjafton të kujdeseni për disa detaje.

– Kujdes peshën reale: Me një peshë reale kemi parasysh që t’i lini hapësirë edhe ndonjë teprimi të vogël me ushqimin. Por mos lejo në asnjë mënyrë që t’i largohesh peshës që ke arritur. Matu herë pas here dhe mbaj me vete gjithmonë fletushkën e peshës tënde. Duke e pasur gjithmonë para nuk do të të lërë rehat dhe do të stimulojë dëshirën për t’u dobësuar, shkruan Zëri.

– Përcakto objektiva: Çfarë kërkon të arrish gjatë dimrit? Ulje të peshës? Rritje të masës muskulore? Apo dobësimin në ato pjesë të trupit që kanë qenë gjithmonë pika jote e dobët? Duhet të kesh mirë të qartë se çfarë kërkon, është shumë e rëndësishme për të mos humbur kohë gjatë rrugës. Një trajner i përgatitur, një ambient ku të gjithë stërviten dhe bëjnë ushtrime dhe rezultatet që arrin dita ditës, janë të gjithë faktorë që kushtëzojnë pozitivisht formën tënde fizike. Por për fat të keq, të qëndrosh në shtëpi nuk është e njëjta gjë…

– Palestra: E rëndësishme është që të mos kesh probleme kur vjen puna për të shkuar në palestër pa munguar asnjë ditë. Trafik, shi, ftohtë, janë të gjithë këto armiqtë e betuar të palestrës gjatë dimrit. Prandaj regjistrohu në një palestër pranë shtëpisë apo punës, që të mos të të shkaktojë probleme me largësinë.

– Kënaqu një ditë në javë: Që do të thotë që një ditë në javë ty të lejohet të shkelësh dietën me të dyja këmbët dhe të hash çfarë të duash. Kjo ndihmon të mbash nën kontroll dietën e ditëve të tjera, duke u bërë qejfin edhe shprehive të tua të parezistueshme. Një ditë e tillë në javë nuk ndikon në formën fizike, me kusht që ditët e tjera dieta të mbahet e rregullt.

– Kujdes në shitore: Kur bën pazarin mbaj gjithmonë parasysh objektivat e tua. Në xhiron e supermarketit qëndro larg “zonave të nxehta”, larg vitrinave të tortave dhe pijeve alkoolike. Mos e tepro me këto të fundit. Janë të parat që e hedhin në erë dietën e mbajtur me aq vështirësi.

– Ushtro me shoqërinë: Stërvitu bashkë me shokët dhe shoqet e tua. Kështu, kur njëra nuk ka pikë dëshire të shkojë në palestër një ditë, patjetër që do të jetë tjetra e devotshme që do të shtyjë edhe të tjerat për të shkuar ose për të vazhduar dietën. Është mirë të bashkëpunosh dhe të dobësohesh në grup. /Zëri/