Sistemi më i gjatë i shpellave i njohur në botë është edhe më i gjatë nga sa mendohej më parë!

Shpella Mammoth thyen rekorde

Sistemi më i gjatë i shpellave i njohur – Shpella Mammoth, që gjendet në parkun kombëtar me të njëjtin emër në Kentucky – është edhe më e gjatë nga sa mendohej më parë, madje për 13 kilometra.

Tani gjatësia e përgjithshme e këtij sistemi shpellor është 676 kilometra, transmeton Telegrafi.

Edhe pse shumë pasazhe janë të vështira për t’u arritur për shkak të përpjetave të mëdha vertikale ose ujit dhe baltës, speleologët ia kanë dalë mbanë.

Shpella u hartua nga vullnetarë nga Fondacioni i Kërkimeve të Shpellave , një organizatë jofitimprurëse nga Kentucky dhe speleologët lokalë.

Më shumë se dy milionë njerëz çdo vit e vizitojnë këtë sistem shpellor, i cili është shtëpia e 130 llojeve të kafshëve të egra, përfshirë 14 endemikë.

Sistemi shpellor i Shpellës Mammoth hyri në Librin e Rekordeve Guinness në vitin 1969, me gjithsej 105 kilometra kalime të dokumentuara.

Pastaj, gjatë hulumtimit në shtator 1972, speleologët zbuluan një lidhje midis sistemit të Shpellës Mammoth dhe sistemit Flint Ridge, duke e çuar gjatësinë totale të njohur të shpellës në 232 kilometra.

Që atëherë, hulumtimet shtesë kanë zbuluar më shumë sisteme të lidhjeve midis Mammoth dhe shpellave të tjera në këtë zonë. Zyrtarët e Parkut Kombëtar besojnë se kjo nuk është as gjatësia përfundimtare e këtij sistemi shpellor natyror.

Sistemi i Shpellës Mammoth është një labirint i madh i krijuar nga erozioni i gurit gëlqeror, një fenomen i njohur shkencërisht si relievi karstik, i cili ndodh edhe në shkëmbinj të tjerë të tretshëm, si mermeri dhe gipsi.

/Telegrafi/

//ashoupsu.com/4/5086363