Skandali në Shkodër, kushëriri firmos dokumentet në mungesë të kryetarit të Gurit të Zi

Sa herë që kryetari i njësisë administrative të Gurit të Zi në Shkodër largohej nga detyra, zyrën e tij e zinte kushëriri i tij, i cili përveç çelësave të zyrës, mbante edhe vulën e njësisë administrative, madje edhe firmoste shkresat në emër të kryetarit.

Rasti u zbulua nga punonjësit e burimeve njerëzore të Bashkisë së Shkodrës, të cilët kishin shkuar në këtë njësi administrative për një inventar fizik.Në momentin kur grupi i kontrollit nga Bashkia Shkodër shkoi në njësinë administrative Gur i Zi, administratori Pjerin Marku nuk ishte në vendin e tij të punës. Për të firmoste dhe vuloste një person i cili nuk u identifikua dot nga punonjëset e Bashkisë Shkodër.

Në datën 24.12.2015 , ditën kur u bë dhe inventari fizik, punonjëset e bashkisë mbajnë një procesverbal ne te cilin thuhet: “Kur punonjësja e protokollit po lëshonte një vërtetim për saktësim të dhënash, ia jepte për firmë dhe vulosje një personi i cili firmoste dhe vuloste në emër të Administratorit. Ky person identifikohet si i afërm i tij”.Procesverbali është mbajtur nga Drejtoresha e Burimeve njerëzore Bashkia Shkodër,zonja Ardita Peraj si dhe nga punonjëset Manjola Fushxhia dhe Vanesa Rroji. Në procesverbal kanë firmosur dhe tre punonjëse nga Njësia Administrative e Gurit të Zi: Pranvera Mustafa, Ardiana MArku dhe Valbona Marku.

Valbona Marku, punonjëse e njësisë administrative Gur i Zi tregoi për “Fiks Fare”  se administratori nuk ka qenë në punë për disa ditë. Sipas saj, gjatë këtyre ditëve,  atë e ka zëvendësuar një i afërm i tij i cili mbante çelësat e zyrës, madje vuloste dhe firmoste për të. Zonja tregoj gjithashtu  se administratori i kërcënonte  vazhdimisht se do e largonte nga puna.

Kjo zonjë i vë në dispozicion gazetares së “Fiks fare” dy dokumente të ndryshme të firmosura nga Pjerin Marku , por që firmat janë të ndryshme, pra nuk ka firmosur i njëjti njeri. Zonja thotë se në vendin e administratorit Pjerin Marku ka qëndruar për disa ditë kushëriri i tij, Armando Marku.Afërdita Marku punonjëse e njësisë administrative Gur i Zi, është një tjetër zonjë e cila ka firmosur procesverbalin e mbajtur në datë 24 dhjetor. Është punonjëse në zyrën e financës së njësisë administrative dhe tregon se ndihet e kërcënuar në punën që bën, sepse administratori që kur ka ardhur i ka thënë se do ta largojë nga puna.

“Fiks Fare” iu drejtua vetë administratorit për të kuptuar a ishte i vërtetë procesverbali dhe a abuzonte ai realisht me postin e tij duke lenë dikë tjetër si zëvendësues? Pjerin Marku, nuk e pranon që nuk ka qenë në vendin e tij të punës. Thotë që nuk ka qenë në Shqipëri se ka qenë me leje por procesverbalin e ka firmosur vetë një ditë më parë.

I pyetur, a është firma e tij ajo e lëshuar mbi një dokument të datës 24 dhjetor 2016, ai thotë “po”. Kur i kërkohet nga gazetarët të firmosë për të krahasuar firmën e tij me atë që ndodhet në dokumentin që ka gjetur grupi i kontrollit të bashkisë së Shkodrës, nuk pranon. Kërkon të nxjerrë jashtë zyrës grupin e xhirimit të “Fiks fare”, të cilët i kërkojnë që të njihen me firmën e tij.

Bashkia Shkodër u shpreh zyrtarisht për këtë problem nëpërmjet Zv. Kryetarit të Bashkisë Shkodër Arben Gjuraj. Ai tha për “Fiks Fare” se ky problem është konstatuar nga Bashkia e Shkodrës dhe se do të merren masa. Problemet që Bashkia ka patur me njësitë administrative kanë qenë të shumta.