Sot Nata e Kadrit, më e vlefshme se një mijë muaj

Nata e Kadrit në të cilën ka filluar zbritja e Kuranit, në Islam njihet si “Nata e shenjtë kur hapen dyert e qiellit dhe kur pranohen lutjet dhe pendimet”.

FIRAT TAŞDEMİR

Nesër është Nata e Kadrit e cila në Kuran njihet si nata më e vlefshme se një mijë muaj, raporton Anadolu.

Nata e Kadrit në të cilën ka filluar zbritja e Kuranit, në Islam njihet si “Nata e shenjtë kur hapen dyert e qiellit dhe kur pranohen lutjet dhe pendimet”.

Si nata e vetme e përmendur në Kuran, Nata e Kadrit shpjegohet në këtë mënyrë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç‘të bëri ty të dish se ç‘është nata e Kadrit? Nata e Kadrit, është më e rëndësishme se një mijë muaj. Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit”.

– “Kjo natë, një dritare mundësie”

Idris Bozkurt, anëtar i Bordit të lartë të çështjeve fetare në Kryesinë e Çështjeve Fetare (Diyanet) tha për Anadolu se Nata e Kadrit është më e vlefshmja në mesin e ditëve dhe netëve të bekuara.

“Për Natën e Kadrit është folur në Kuran dhe me këtë emër ka një sure”, rikujtoi Bozkurt duke shtuar se Nata e Kadrit është nata ku Kurani është bashkuar me muslimanët.

Duke thënë se Nata e Kadrit është shumë e rëndësishme pasi është nata kur u shpall për herë të parë Kurani, i cili ndryshoi fatin e muslimanëve dhe njerëzimit, Bozkurt shtoi: “Sahabët kanë transmetuar se Profeti ynë ka dhënë shenja se Nata e Kadrit është në 10 ditët e fundit të Ramazanit dhe nata që lidh natën e 26-të dhe ditën e 27-të. Ndërsa edhe ne prej shekujsh e shënojmë atë si natën e 27-të”.

Bozkurt rekomandoi që në Natën e Kadrit të bëhen adhurime dhe pendime. “Në 10 ditët e fundit të Ramazanit, intensiteti i adhurimit tonë duhet të jetë më i lartë. Natën e Kadrit e cila është në këtë periudhë kohore, ne e konsiderojmë një moment historik. Kjo natë, është një dritare mundësie”, tha ai.

“Në Natën e Kadrit, duhet të rrisim trendet tona shpirtërore duke qëndruar pak më larg nga punët, shqetësimet e botës”, theksoi Bozkurt i cili shpjegoi se është shumë e rëndësishme të lexohet Kuran në natën kur ka zbritur Kurani. /Anadolu Ajansi/