Spahiu: Ndërkombëtarët po hedhin benzinë në zjarr

Pas zhvillimeve të fundit në kuvendin e Kosovës ku sërish u hodh gaz lotsjellës nga ana e opozitës, ka reaguar edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Nexhmedin Spahiu.

Spahiu në një prononcim për ORAinfo, është shprehur se ngjarjet e fundit në kuvendin e Kosovës vetëm sa po e acarojnë edhe më shumë situatën politike në vend.

“Pas këtyre zhvillimeve të fundit mund të them që nuk po pritet ndonjë përmirësim i gjendjes aktuale në vend. Përkundrazi po pritet një eskalim edhe më i madh i dhunës”, ka thënë Spahiu.

Ai ka bërë të ditur se duke i parë zhvillimet e fundit nuk pritet ndonjë përmirësim i situatës.

Spahiu ka folur edhe për ndërhyrjen e mundshme të ndërkombëtarëve në zgjedhjen e situatës politike në vend.

Ai vlerëson se as vendorët e as ndërkombëtarët nuk po punojnë në zgjidhjen e situatës.

Madje Spahiu shkoi edhe më tej duke thënë se ndërkombëtarët po e thellojnë edhe më tepër krizën politike në vend.

“As vendorët e as ndërkombëtarët nuk po bëjnë asgjë për parandalimin e kësaj situate. Më duket sikur ndërkombëtarët po hedhin benzinë në zjarr dhe po e bëjnë situatën akoma dhe më të rrezikshme se sa që është”, ka thënë Spahiu për ORAinfo.

Njohësi i rrethanave politike në vend, është shprehur se shteti i Kosovës po rrezikohet nga pozita dhe opozita.

Njëra anë sipas tij, po dëshiron t’i fal territore të Kosovës një shteti tjetër, ndërsa pala tjetër, opozita, e cila sipas Spahiut po e bllokon procesin politik në vend.

“Shteti i Kosovës po rrezikohet nga pushteti i cili një pjesë të Kosovës po dëshiron t’ia falë Malit të Zi. Në anën tjetër shteti i Kosovës, parlamenti janë të bllokuara nga ana e opozitës”, ka thënë Nexhmedin Spahiu.

“Tash këtu është çështja se kush po rrezikon më shumë në këtë vend”, ka shtuar ai.