Stacioni i spastrimit të shqiptarëve

Me “milicia” vazhdon t’u referohet policëve serbë Pajtim Hoxha (25) edhe gjashtëmbëdhjetë vjet pas luftës. Uniforma e tyre simbolizonte tmerrin dhe frikën. Me “milicë” lidhen kujtimet e tmerrshme të fëmijërisë së prishtinasit.

Policët serbë të armatosur deri në dhëmbë kishin hyrë nëpër shtëpitë e rrugës “Ekrem Rexha”, në lagjen “Arbëria”, në kryeqytet, në pranverën e vitit 1999. Nuk u kishin dhënë afat as të merrnin gjërat elementare nëpër valixhe. Postblloqet ishin të shpeshta. “Milicë” me maska kishte edhe në kryqëzimet e lagjes kodrinore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Koka brenda, trupi jashtë

Shtëpia e Hoxhëve nuk është më shumë se pesëqind metra rrugë prej Stacionit të trenit në Prishtinë. Policë me maska e me tytat e automatikëve drejtuar nga shqiptarët e dëbuar prej shtëpive po qëndronin në të dyja anët e rrugës, derisa prishtinasit po ecnin ndërmjet tyre. Të gjithë po dërgoheshin dhunshëm në drejtim të Stacionit të trenit në Prishtinë.

“Unë kam qenë tetë vjeç atëherë kur na kanë dëbuar prej shtëpive. Kemi qenë nën përcjelljen e ‘milicisë’”, thekson Hoxha, para shtëpisë së tij./KOHA