Stavileci flet për sukseset: Këtu nuk ka vend për gazin, djegien e trazirat –

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, si duket e ka përmbyllur punën e tij për vitin 2015.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, i ka radhitur disa prej punëve të tij të muajit dhjetor, muaj të cilin e ka quajtur muaj të sukseseve.

Stavileci ka shkruar se në rezultatet e punës në këtë sektor, nuk ka vend për gazin, djegien, trazirat, akuzat, shpifjet, thashethemet, paragjykimet, sepse me to nuk ndërtohet as shteti e as ekonomia e tij.

Ja statuti i tij i plotë:

Për dhjetorin e sukseseve…

16 dhjetor: Prezantimi i Fondit për Efiçiencën e Energjisë

17 dhjetor: Përurimi i Autostradës Energjetike dhe Nënshkrimi i Marrëveshjeve me Shqipërinë për Shkëmbimin Energjetik

18 dhjetor: Nënshkrimi i Marrëveshjes për Termocentralin Kosova e Re me Kompaninë Amerikane Contour Global.

Pas plotë 1 dekade përpjekjeje.

Investim 1 miliard euro.

Më i madhi investim i huaj direkt në historinë e shtetit tonë, edhe pas luftës edhe para luftës.

Do të përdoret teknologjia më e re që përmbushë të gjitha standardet mjedisore. Do të ketë çmime të përballueshme dhe do të krijohen mekanizma zbutës tariforë. Nuk do të rëndohet as 1 cent buxheti i shtetit tonë.

Me mijëra vende pune.

Nuk do të humben më nga 300 milionë euro në vjet si pasojë e mosfurnizimit të rregullt me energji elektrike.

Imazh i jashtëzakonshëm për shtetin tonë dhe për tërheqjen e investimeve të tjera. Së shpejti edhe One Stop Shop për investimet në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Pak më vonë do të vie radha e regjenerimit të kapaciteteve ekzistuese.

Edhe shumë e shumë lajme pozitive.

Rubrika e lajmeve pozitive do të pasurohet gjithnjë.

Këtu, fatkeqësisht, nuk ka vend për gazin, djegien, trazirat, akuzat, shpifjet, thashethemet, paragjykimet, sepse me to nuk ndërtohet as shteti e as ekonomia e tij.

Mënyra më e mirë për ta përmbyllur një vit të vështirë që po e lëmë pas.

Ndjenjë e jashtëzakonshme që me 5 fotografi dhe disa fjali ta dëshmosh punën dhe projektet me të cilat do të transformohet sektori më i rëndësishëm për ekonominë e vendit tim.

E se sa e kemi pas të vështirë dhe sa jemi munduar për të ardhur deri këtu e dimë vetëm ne dhe familjet tona që bashkëjetuam me momente aspak të lehta për gati 365 ditë. Mjaftojnë vetëm t’i kujtojmë ditët e vështira të negociatave me investitorin amerikan dhe Bankën Botërore kur dukej se projekti po dështonte. Por, mendjet tona, idetë e qarta, besnikëria ndaj objektivave fisnike, durimi i pathyeshëm, vendosmëria e paluhatshme dhanë rezultatet që jo shumë njerëz prisnin të ndodhnin./lajmi