Studentët: Të bashkohemi për të rrëzuar reformën e re

Aktivistët e lëvizjes “Për Universitetin”, marshim nga korpusi drejt Kryeministrisë.

Studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës, njëherësh aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin protestuan sërish dje kundër ligjit të ri të arsimit të lartë.

Në një protestë që nisi nga Universiteti Politeknik, përgjatë bulevardit “Nënë Tereza”, për të përfunduar përpara Kryeministrisë, studentë e pedagogë nuk protestuan vetëm kundër qeverisë aktuale, por kundër reformës së re të arsimit të lartë, kauzë të cilën janë betuar ta mbrojnë deri në fund “me hir a me pahir” derisa të pranohet kërkesa e tyre për anulimin e saj.

“Për dy vjet rresht kemi provuar t’i ushtrojmë të drejtat demokratike duke kërkuar të shpëtojmë ato pak liri dhe të drejta që ekzistojnë sot në universitetet publike, të cilat rrezikohen të zhduken nga ligji klientelist qeveritar për arsimin e lartë. Po ashtu nuk është hera e parë që si universitarë dhunohemi nga politikat qeveritare, të cilat vit pas viti i bëjnë studimet universitare më të papërballueshme ekonomikisht, e zvetënojnë demokratikisht universitetin duke u mbështetur te bajraktarët në krye të tyre dhe e komercializojnë atë”, sqarojnë aktivistët e lëvizjes “Për universitetin”.

Mirëpo të hënën e 2 nëntorit të rinjtë theksojnë se pësuan dhunën e drejtpërdrejtë të badigardëve dhe policëve që, sipas tyre, mbrojtën nderin e Kryeministrit duke i dhunuar studentët brenda shtëpisë së tyre, mjediseve universitare, ndonëse nga ana e saj, Policia e Shtetit mohoi që kjo të jetë e vërtetë duke akuzuar studentët si gënjeshtarë. Por, në këtë përballje, ku nuk ka akoma të “fituar”, studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës nuk ndalen.

Në emër të lëvizjes “Për universitetin” aktivistët thonë për gazetën “Shqip” se për të denoncuar dhunën e shumëfishtë qeveritare, dolën dje më të shumtë se kurrë në marshimin nga Korpusi drejt Kryeministrisë, pas mureve të të cilit, sipas tyre, ndodhet pushteti okult dhe arrogant i një qeverie dhe Kryeministri që vetëm me të mirën publike nuk kanë të bëjnë.

“Ne nuk u kërkojmë gjë qeveritarëve. Interesat negociohen, jo të drejtat. Të vetmëve që u kërkojmë diçka janë masa e madhe e universitarëve dhe qytetarëve. U kërkojmë të na bashkohen edhe më shumë, të ndajnë me ne shqetësimet, përkushtimin dhe ëndrrat për një universitet dhe shoqëri më të mirë. Dhe kështu, të bashkuar, do t’ia dalim t’ia imponojmë, pa negociuar me qeverinë për qëllimet tona të drejta. Ne luftojmë për një universitet publik demokratik, llogaridhënës ndaj shoqërisë dhe kontribuues në zhvillimin dhe emancipimin shoqëror. Ne luftojmë për një universitet ku studentët vlerësohen vetëm nga aftësitë dhe rezultatet e tyre studimore, pa u diskriminuar në asnjë aspekt. Prandaj duam që universiteti të jetë falas. Dashakëqijtë na i transformojnë fjalët duke kujtuar se po kërkojmë nota falas. Ne luftojmë për një universitet të mbështetur te liria e thellë akademike dhe vetëqeverisja e studentëve dhe pedagogëve. Ne luftojmë për një universitet që nxit mendimin kritik dhe i largohet komercializimit ordiner”, shprehen aktivistët e lëvizjes studentore.

Ata theksojnë se rruga për t’i arritur këto qëllime është e gjatë dhe e vështirë, por bëjnë thirrje se sa më të shumtë e të vendosur të bëhen, aq më e afërt do të jetë dita kur këto nuk do jenë më qëllime, por arritje mbi të cilat do të ndërtojnë një universitet dhe shoqëri të re: të lirë e të emancipuar. /Gazeta Shqip/