Studimi i ri befason: Lumturia nuk zgjat jetën e njeriut

Lumturia nuk ka asnjë efekt në jetëgjatësinë e njeriut. Ky është konkludimi i ri i hulumtuesve britanikë që kanë deklaruar se nuk ka asnjë lidhje shkencore mes lumturisë dhe jetëgjatësisë.

Në këtë studim kanë marrë pjesë 715 mijë gra britanike mes moshës 50 dhe 69 vjeçare, që ishin pjesë e një programi për kancer të gjirit në fund të 90-ave.

Gratë ishin pyetur se sa shpesh janë ndjerë të lumtura dhe sa të shëndetshme ishin. Afër 40 për qind e tyre kanë thënë se janë të lumtura shumicën e kohës, ndërsa 17 për qind kanë thënë se nuk janë të lumtura. Pas një dekade të monitorimit të këtyre grave, 4 për qind e tyre kanë vdekur.

Shkencëtarët kanë gjetur se shkalla e vdekjes te gratë që kishin deklaruar se nuk ishin të lumtura ishte e njëjtë me ato që kishin thënë se janë të lumtura.

Hulumtimi u publikua në revistën mjekësore “Lancet”, transmeton koha.net.

“Është besuar se stresi dhe jo lumturia kanë shkaktuar vdekjen dhe sëmundjet, por duket se është e kundërta”, ka thënë Richard Peto, nga Universiteti i Oksfordit, që ishte një nga autorët e studimit. “Njerëzit duhet të fokusohen në çështjet e vërteta që shkurtojnë jetëgjatësinë, si pirja e duhanit dhe obesiteti”.

Një tjetër studim, i bërë nga shkencëtarët francezë, ka sugjeruar që rezultati mund të jetë më i ndryshëm te burrat, pasi “lumturinë gjinitë e definojnë ndryshe”.

Por, edhe pse nuk ndikon në jetëgjatësi, Peto thotë se lumturia është gjë shumë e mirë për njeriun./gazetaexpress/