Subvencionet për prodhuesit e qumështit nuk prodhojnë efekt pozitiv

Subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë për prodhuesit e qumështit në Kosovë, nuk e kanë arritur efektin e tyre. Deri sa janë shtuar subvencionet,  paralelisht ka rënë prodhimi si dhe është ngritur importi i qumështit.

Kështu thuhet në një analizë për industrinë e qumështit nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, sipas të cilit prodhuesit vendor të qumështit po përballen me probleme për tu qasur në tregun vendor dhe atë të jashtëm.

“Që nga viti 2010, MBPZhR ndan miliona euro në zhvillimin e sektorit të qumështit ndërsa gjendja e këtij sektori çdo vit u përkeqësua. Të dhënat zyrtare të MBPZHR tregojnë se prodhimi vendor shënon pikën më të ulët që nga viti 2007, ndërsa importet e produkteve të qumështit rriten vazhdimisht”, thuhet në këtë analizë.

Sipas kësaj analize të GAP-it, gjatë një periudhe pesë vjeçare (2010-2014), Kosova ka importuar rreth 194 milionë litra prodhime të qumështit me një vlerë prej afro 174 milionë euro.

Sipas GAP-it, deri tani, mbështetja për sektorin e qumështit është kufizuar vetëm në prodhim dhe përpunim, ndërsa është anashkaluar kontrolli i tregut.

Në këtë analizë janë paraqitur problemet në sektorin e qumështit ku sipas tyre burojnë nga mos-koordinimi i politikave në mes të ministrive, si Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrisë së Bujqësisë.

“Një nga arsyet kryesore që disa produkte të importuara të qumështit gjenden në treg me çmime më të ulëta se prodhimet vendore është mungesa e mirëfilltë e kontrollit të importit”, thuhet në këtë analizë.

GAP-i ka rekomanduar që Ministria e Bujqësisë duhet të zëvendësojë pagesat direkte për krerë lopë qumështore me pagesa për sasi të qumështit të prodhuar, siç kanë vepruar disa vende të rajonit. Kjo do t’i motivojë fermerët që të përmirësojnë praktikat e të ushqyerit të lopëve, ndryshojnë strukturën racore të lopëve, dhe ngritjen e numrit të lopëve.

Poa shtu rekomandon Ministrinë e Financave që të pezullojë aplikimin e nenit 43, paragrafin 2, për 3% që parashihet në Ligjin nr. 03/L-061 mbi tatimin në të ardhurat personale.

Ndërkohë për përpunuesit e qumështit komandohen që të shqyrtojnë mundësitë e financimit për blerjen e teknologjisë paketuese me temperaturë ultra të lartë, e cila do t’i zvogëlonte shpenzimet operative dhe njëkohësisht çmimin final në treg./Innsajderi.com