Sulmohet vajza 18 vjeçare vetëm sepse mbante ferexhe

Një vajzë e re myslimane është goditur në fytyrë gjatë ditës kur ishte duke ecur përgjatë qendrës së qytetit, dhe krejt kjo vetëm sepse mbante ferexhe.

Znj Choudhury, e cila dëshiron të përmendet vetëm nga mbiemri i saj, ishte duke ecur poshtë në New Street në Birminghan, kur dikush me një duks ngjyrë hiri iu kishte afruar dhe e kishte goditur në fytyrë.

Sulmuesi menjëherë kishte ikur duke mos shfaqur interes për çantën e 18 vjeçares, gjë e cila e bën atë të mendoj se ai e kishte sulmuar për të vetmen arsye se kjo mbante ferexhe.

“Unë mendoj se ai më goditi vetëm sepse mbaj ferexhe, sepse ai nuk ma morri çantën ose diçka tjetër”, ka thënë ajo për Birmingham Mail, transmeton lajmi.net.

“Unë kam jetuar në Birmingham tërë jetën time dhe kurrë nuk kam përjetuar diçka të ngjashme më parë”, ka shtuar ajo.

Policia është duke kërkuar për dëshmitar dhe rastin e kanë quajtur si një krim urrejtës.

Studentja dëmet më të mëdha i ka psikologjike dhe thotë se tani frikësohet të ec e vetme në qytet.

‘Prindërit e mi tani ndihen shumë të frikësuar saqë më kanë kërkuar të mos mbajë ferexhe por një kapuç”, ka thënë ajo./ Express