Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë si të papranueshme kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga avokatët mbrojtës të kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe ish-drejtorit të Administratës, tani kryetar i Degës së PDK-së, Minir Krasniqi.
Vendimi është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët e EULEX-it, Jorge Martins Ribeiro dhe Malcolm Simmons, si dhe nga gjyqtari vendor, Salih Toplica, pas këshillimit dhe votimit më 8 mars të këtij viti, shkruan sot Koha Ditore.
“Kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura më 29 dhjetor 2015 nga avokati mbrojtës Bashkim Nevzati dhe avokati mbrojtës Pjetër Përgjoka në emër të të pandehurit Minir Krasniqi dhe më 10 shkurt 2016 nga avokati mbrojtës Tomë Gashi në emër të të pandehurit Ramadan Muja, kundër aktvendimit të Gjykatës Supreme PA-II-KZ-II.7/2015 të datës 1 dhjetor 2015, hidhen poshtë si të papranueshme”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Supreme, kopjen e të cilit e ka edhe “Koha Ditore”.
Kolegji i gjyqtarëve ka bërë të ditur se kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga avokatët mbrojtës dhe përgjigjet nga prokurori i shtetit ishin paraqitur me kohë, dhe se për shkak të efikasitetit, të dy kërkesat janë adresuar në një aktvendim të vetëm./Koha.net/