Syla: Kur liderët opozitarë sfidojnë shtetin, çfarë të presim nga qytetarët

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, Ismail Syla, ka thënë se opozita, duke luftuar pozitën po e dëmton themelin ekzistencial të Kosovës, shtetin. Përzgjedhja e ditës së 28 nëntorit për të protestuar, sipas këshilltarit të Thaçit, hyn në radhën e veprimeve manipuluese të klasit të parë, sepse Kosova është pjesë e botës shqiptare, shtet më vete, i lirë dhe demokratik.

Syla në Facebook ka shkruar se atë ditë secili gjen mënyrën si ta kalojë më mirë, më solemnisht dhe në mënyrën më nderuese të mundshme.

“Ky veprim është një përpjekje për ta përzier publikun e rëndomtë festiv me atë tufë sigurisht të vogël protestuese, dhe madje të ftuar të vishet me ngjyrat dhe shenjat e flamurit kombëtar, kuqezi, gjoja protestues dhe mbështetës të qëllimeve politike të opozitës”, ka shkruar Syla.

Sipas tij, duke prekur në integritetin e institucioneve të Kosovës, opozita dëshmoi se përtej synimit për ta ndërruar pushtetin është e gatshme për ta rrënuar edhe shtetin.

Megjithatë, sipas Sylës, veprimet e opozitës treguan se shteti ka një polici të edukuar dhe të trajnuar, e cila me pedanteri dhe përkushtim profesional e kryen detyrën e saj.

“Derisa brenda Kuvendit të Kosovës deputetët e pozitës me kulturë dhe pjekuri tejkaluan përleshjet fizike, përkundër provokimeve me bilbila, bllokadë foltoreje etj., jashtë, përreth ndërtesave të institucioneve në sheshe dhe rrugë policia e Kosovës nuk ia plotësoi dëshirën aspiratës politike të opozitës me ndonjë akt ekstrem, dhe kështu të prodhojë edhe shkase tjera ‘efikase’ dhe argumente shtesë për protesta dhe thellim të tyre”, ka shkruar Syla.

 

Gjithashtu, sipas Sylës, filozofia këmbëngulëse e Vetëvendosjes, nëse asgjë të mirë nuk prodhoi me skenat e këtyre javëve, së paku arriti ta nxjerr në pah para publikut të gjerë fytyrën e vërtetë të disa figurave politike dhe përpjekjen për ta instaluar kulturën e rrëzimit të pushtetit me mjete dhune dhe mosrespektimin e institucioneve.

“Kur njerëz në krye të subjekteve politike dhe të zgjedhur nga populli e sfidojnë shtetin, e tallin me fjalët “ejani dhe më arrestoni”, ose “nuk e kam ndërmend të paraqitem në polici, gjykatë” etj., atëherë çka të kërkojmë nga qytetarët tanë të rëndomtë, e lëre më nga ata që kanë strukturë devijante”, ka shkruar Syla.

Këshilltari i Thaçit ka thënë se kjo filozofi, mjerisht, bëri që të del në shesh mungesa e vetëdijes së lartë shtetformuese e liderëve të opozitës dhe disa prej të të zgjedhurve me vota të qytetarëve. Koha.