Takimi në Aeroport s’e zbehu rëndësinë e vizitës

Billbordet që uronin mirëseardhjen e tij kishin mbuluar të mërkurën kryeqytetin e Kosovës, ndonëse ai nuk arriti ta shohë asnjërin prej tyre.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, kishte vendosur që takimin me liderët kosovarë ta zhvillojë në Aeroportin “Adem Jashari”, e jo në institucione. Analistët politike thonë se ardhja e sekretarit Kerry së pari në Kosovë, pastaj në Beograd, është shenjë e favorizimit që SHBA-të i bëjnë Kosovës, karshi vendeve tjera.
“Mund të jetë një zbehje e lehtë ndaj organizimit, mirëpo vizita e sekretarit Kerry ka rol të fortë dhe nuk mund të zbehet”, ka thënë për “Zërin”, Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike.

“Nuk është nënçmim për Kosovën. Takimi në Aeroport është vetëm detaj teknik, ose eventualisht për mungesën e kohës që ka pasur sekretari i SHBA-ve”, ka shtuar Korenica.

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, profesori Afrim Hoti, thotë se takimi i liderëve kosovarë në Aeroport, nuk e zbeh aspak rëndësinë e kësaj vizite për Kosovën.
“Nuk besoj se e ka zbehur në kuptimin klasik vizitën ky fakt. Kjo vizitë ka qenë e tëra mesazh. Takimi në Aeroport barti mesazh të fortë për diplomacinë kosovare”, ka thënë Hoti duke shtuar se Kosova mori mbështetje të fuqishme. /Zeri