Të fshehura nën dunat e rërës, zbulohen rrënojat e lashta romake

Në një nga dunat më të mëdha të rërës në Evropë është zbuluar një nekropol dhe një vendbanim i tërë romak. Teksa duna vazhdon të zhvendoset, arkeologët shpresojnë se mund të shfaqen gjetje të reja.

Në provincën Cádiz në Spanjë, aty ku Evropa ndahet përmes ngushticës së Gjibraltarit me Afrikën e Veriut, gjendet Duna de Bolonia, një nga dunat më të mëdha të rërës në kontinent. Më shumë se 30 metra e lartë dhe e shtrirë në 200 metra territor, tuma e bardhë qëndron përbri detit të kaltër.

Si të gjitha dunat e rërës, Bolonia është një ekosistem vazhdimisht në lëvizje që zhvendoset me erërat. Mirëpo, ndryshimet e klimës kanë sjellë erëra më të forta e madje edhe uragane nga lindja, çka ka ndikuar që duna të migrojë gjithnjë e më shumë drejt pyjeve. Kjo ka bërë që të dalin në pah mbetjet e shumë civilizimeve të kaluara.

Vitet e fundit, gërmimet arkeologjike kanë identifikuar varre të lashta që dikur qëndronin fshehur thellë brenda dunës. Ndër zbulimet më të rëndësishme është nekropoli romak për të cilin nuk dihet akoma se sa pjesë janë akoma të fshehura. Arkeologët shpjegojnë se rëra ka ndihmuar në ruajtjen e themelit të strukturës kockave, bizhuterive dhe objekteve të tjera.

Pranë nekropolit, gjendet siti arkeologjik Baelo Claudia i shekullit II p.e.s dhe është një nga vendbanimet romake më të ruajtura në Spanjë. I kompletuar me banja të lashta, një teatër, tempull, forum, ujësjellës dhe një horizont që sheh drejt Marokut. Ky vend ishte një nga burimet kryesore të Perandorisë Romake për prodhimin e produkteve të peshkut. Pas një tërmeti në shekullin e III të erës sonë, vendbanimi u braktis gradualisht, për t’u zbuluar shumë shekuj më vonë nën rërë.

E ndërsa erërat vazhdojnë të formësojnë dhe ndryshojnë këtë peizazh unik, historianët shpresojnë se Bolonia do të mbetet e mbrojtur dhe do të vazhdojë të zbulojë më shumë nga sekretet e saj për brezat e ardhshëm.

Generated by Feedzy