Në kohën kur Egnatia gjendej në Kategorinë e Parë, Agim Demrozi hodhi bastin e tij të parë: “Do të ngjitemi në Superiore”. Askush nuk e mori seriozisht dhe kjo u duk si një nga ato deklaratat klishe që japin ekipet para çdo nisje sezoni dhe më pas lumturohen nëse nuk kanë përfunduar në ndonjë prej vendeve të fundit.
Egnatia ia doli, ajo u ngjit në elitën e futbollit shqiptar dhe Demrozi shfryu menjëherë pas atij suksesi: “Shumë qeshën dhe nuk më besuan, ja ku jemi, vitin tjetër për në Europë”. Reagimi ishte po i njëjti, por në rregull, Kategoria e Parë është një çështje dhe Superiorja një tjetër.
Të gjithë menduan se ndoshta Demrozi ishte dehur pa hapur ende shampanjën. Ja ku jemi, Egnatia është në Europë dhe njëkohësisht ka fituar Kupën e Shqipërisë. Festa e madhe i përket Rrogozhinës që mund të ndiejë krenari pasi mposhtën Tiranën në finale.
Dorashka është hedhur sërish nga Demrozi: “Vitin tjetër duam të shpallemi kampion”. Të gjithë njerëzit që po gajaseshin me deklaratat e mëparshme, duhet të bëjnë gati shamitë për të fshirë lotët nga të qeshurat dhe të kthehen serioz, presidenti i Egnatias e ka seriozisht. /Sport Ekspres/