“Të tregohet profesionist, nuk do luajë më në Shqipëri”, Mehmeti tregon problemin e vetëm të Skukës: Do ketë të vështirë ritmin e lartë

Xhuliano Skuka ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën tij, teksa do të jetë pjesë e Metz-it në Ligue 2 në Francë. Një përvojë e re e një prej më të mirëve të “Abissnet Superiore”-s, e cila është e gjitha për t’u parë për mënyrën se si do të shkojë. A do të ketë vështirësi Skuka në këtë skuadër të re dhe sa larg shkon potenciali i tij? Përgjigjen nuk mund ta japë askush më mirë se Dritan Mehmeti. Ishte pikërisht ai i cili i dha besimin e duhur sezonin e shkuar në periudhën kur drejtonte Partizanin dhe padyshim që ia njeh më së miri të mirat dhe të metat. Në një lidhje direkte me emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, Mehmeti ka dhënë këndështrimin e tij mbi këtë transferim të Skukës dhe për pikën e dobët që i duhet ta përmirësojë në të ardhmen.

Kalimi i Skukës në Francë? Kam parë cilësitë e tij, komponentët teknikë. Skuka është një djalë mjaft i talentuar për sa i përket interpretimit të lojës sulmuese. Ka nevojë shumë për orientimin taktik në fazën defensive dhe duhet të rritet fizikisht. Është një hap shumë i madh dhe mendoj se do e ketë shumë të vështirë të ndjekë ritmin. I vetmi problem ndosha mund të jetë ky për Skukën, të përshtatet me ritmin e lartë që ndodhet në Ligën e Dytë të Francës. Por ka cilësi të jashtëzakonshme. Duke pasur para sysh stafet dhe nivelin e futbollit francez, mendoj që do ta ndihmojnë këtë djalë të bëjë atë hapin e madh. Ai duhet të tregohet shumë profesionist, sepse nuk po luan më në Shqipëri, por në një ligë tjetër që ka ritëm mjaft të lartë. Është djalë me karakter. Por thjesht nuk është trajnuar siç duhet në vitet më përpara. Te Partizani ka marrë atë ngarkesën e duhur, edhe pak te Dinamo, por nuk kishte aktivizimin dhe besimin e duhur. Nëse do të aktivizohet sistematikisht dhe të ketë një program specific për sa i përket aspektit fizik, besoj se do të shkojë në nivele të larta”, është shprehur Dritan Mehmeti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/