Tenderët Politikë që Konfirmojnë Ndarjen e Kosovës

Autoritetet komunale në Zveçan në katër tenderë të shpallur në muajin tetor të këtij viti u kanë kërkuar kompanive konkurrente që të plotësojnë një kriter diskriminues në baza territoriale. Për të lidhur kontratë me këtë komunë kompanitë duhet që të dëshmojnë se kanë përvojë pune me komunat veriore të Kosovës. Ky kriter eliminon kompanitë që punojnë jashtë veriut të vendit. Agjencia Kundër Korrupsion dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik vlerësojnë se ky veprim përbën shkelje të Ligjit të Prokurimit.

Komuna e Zveçanit ka bërë një kërkesë të pazakonshme në katër tenderë publikë. Kërkesa e kësaj komune bën ndarjen e Kosovës në dy pjesë- veri e jug. Kusht për të fituar tenderin ka përcaktuar përvojën e punës me komunat veriore në Kosovë.

Kjo ka nxitur reagimin e Agjencisë Kundër Korrupsion që e vlerëson këtë si kriter diskriminues.

Edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) e cilëson këtë veprim të Komunës së Zveçanit si shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik. KRPP-ja vlerëson se diskriminimi territorial bie ndesh me këtë ligj.

Ky veprim i autoriteteve komunale që përbën diskriminim në baza territoriale ka ndodhur dy muaj pas nënshkrimit në Bruksel të marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Marrëveshja nga kritikët është parë si veprim që i lë hapësirë komunitetit joshumicë serb që të mos u bindet autoriteteve qendrore të Prishtinës.

Ndërkohë ndaj veprimit të drejtuesve të Zveçanit që u jep të drejtë kritikëve për shkak se promovon ndarjen territoriale, ka reaguar Agjencia Kundër Korrupsion.

Kundër-Korrupsioni më 28 tetor të këtij viti, i ka dërguar shkresë zyrtare Komunës së Zveçanit, përkatësisht Maja Popoviqit, menaxheres së Zyrës së Prokurimit.

Ka mbajtur të informuar edhe Vuqina Jankoviqin, kryetarin e Zveçanit.

Në opinionin e Agjencisë konkludohet se autoritetet komunale në Zveçan kanë bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit kur kanë përcaktuar si kërkesë që tenderuesit të kenë përvojë pune në komunat veriore të Kosovës.

Kundër-Korrupsioni ka konkluduar se plotësimi i kriterit diskriminues është kërkuar në katër tenderë publikë të shpallur në tetor të këtij viti.

Bëhet fjalë për tenderët “Ndërtimi i dhjetë shtëpive për banim social”, “ Ndërtimi i 2 ndërtesave të banimit për banim social”, “Kryerja e shërbimeve të organit mbikëqyrës-menaxher i projekteve- për nevojat e Komunës së Zveçanit” dhe “Blerja e pajisjeve mjekësore për nevojat e Qendrës së Mjekësisë Familjare ‘Zveçan’.

“Përcaktimi i përvojës së punës vetëm në komunat e veriut të Kosovës është kriter diskriminues. Si i tillë favorizon një numër operatorësh ekonomikë të cilat kanë realizuar punë në komunat e cekura dhe në të njëjtën kohë diskriminon ata të cilët nuk kanë realizuar punë në ato komuna,” thuhet në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion dërguar komunës së Zveçanit.

Kundër-Korrupsioni shton se kjo kërkesë e Komunës së Zveçanit nuk i lë hapësirë të mjaftueshme ekonomisë së lirë të tregut.

“Pra, Autoriteti Kontraktues duhet të sigurohet që t’i trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe jodiskriminuese dhe nuk do të ekzekutojë asnjë aktivitet të prokurimit në një mënyrë që minimizon apo eliminon konkurrencën në mes të operatorëve ekonomikë, ose që diskriminon në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomikë,” thuhet në shkresën e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Tutje në shkresë i rekomandohet Komunës së Zveçanit që të marrë masat e nevojshme për të parandaluar imponimin e rrethanave që rezultojnë me diskriminim territorial, fizik, material ose organizativ ndërmjet operatorëve ekonomikë.

“Agjencia Kundër Korrupsion i rekomandon komunës që të marrë hapat e nevojshëm për evitimin e shkeljeve të lartcekura dhe të veprojë në pajtim me Ligjin e Prokurimit gjatë vazhdimit të aktivitetit në fjalë,” thuhet në shkresën e Kundër-Korrupsionit.

Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion, nuk ka dashur të komentojë kur është pyetur nëse ky diskriminim territorial përben një veprim politik nga ana e autoriteteve komunale në Zveçan.

Ka thënë se interpretimi i këtij fakti nuk përkon me misionin e Agjencisë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe me Maja Popoviqin, menaxheren e Zyrës së Prokurimit në Zveçan.

Nuk ka dashur të komentojë lidhur me konkludimet e Agjencisë Kundër Korrupsion.

“I kemi dërguar një shkresë Agjencisë dhe po presim përgjigjen e tyre. Nuk komentojmë pa marrë përgjigje nga Agjencia,” ka deklaruar Popoviq.

Ajo nuk ka bërë publike se çfarë i kanë shkruar Agjencisë Kundër Korrupsion.
Preteni, i kontaktuar lidhur me këtë pohim të Popoviq, mohoi se ka marrë shkresë nga kjo komunë.

“Nuk kemi informate kthyese!”, tha Preteni.

“Nuk lejohet diskriminimi territorial”

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë deklaroi se një përcaktim i tillë i kritereve përbën diskriminim dhe është në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Autoriteti kontraktues nuk do të krijojë ose imponojë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar krijimin ose imponimin e rrethanave ose kushteve që rezultojnë në diskriminim territorial, fizik, material, personal ose organizativ ndërmjet operatorëve ekonomikë,” thuhet në përgjigjen e KRPP-së.

“Kjo do të thotë se autoriteti kontraktues nuk mund të caktojë ndonjë kërkesë në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë, e cila kërkesë rezulton në diskriminim territorial apo çfarëdo diskriminimi tjetër të përcaktuar me këtë nen,” shton KRPP-ja në përgjigjen dhënë Gazetës Jeta në Kosovë.

Vlera e tenderëve të Zveçanit

Kjo komunë më 7 tetor 2015 publikoi njoftimin për tenderin e kryerjes së shërbimit të organit mbikëqyrës për projektet kapitale.

Më 23 dhjetor publikoi njoftimin për dhënie të kontratës. Vlera e ofertës fituese kap shifrën e 83 mijë e 450 eurove.

Ndërsa më 8 tetor të këtij viti e publikoi njoftimin për kontratë për tenderin “Blerja e pajisjeve mjekësore për nevojat e Qendrës së Mjekësisë Familjare ‘Zveçan’”.

Komuna e Zveçanit më 26 tetor e publikoi njoftimin për dhënie kontrate. Vlera e ofertës fituese kap shifrën e 59 mijë e 510 eurove.

Ndërkaq më 9 tetor 2015 e bëri publik njoftimin për kontratë të tenderit “Ndërtimi i 10 shtëpive për banim social”.

Më 26 tetor publikoi njoftimin për dhënie kontrate të këtij tenderi. Oferta fituese kap vlerën e 249 mijë e 569 eurove.

Ndërsa më 10 tetor publikoi njoftimin për tenderin “Ndërtimi i dy ndërtesave të banimit për banim social”.

Për këtë aktivitet prokurimi ende nuk ka publikuar ofertën fituese në tender. /gazetajnk/