Tensionet Rusi-Turqi, ekonomia mund të “zbusë” qëndrimet

Përshkallëzimi i marrëdhënieve Rusi-Turqi do të ishte një goditje e madhe për ekonominë e të dy vendeve. Sipas analistëve do të jetë pikërisht Presidenti Vladimir Putin ai që do të tërhiqet i pari nga masat e rrepta që paralajmëroi vetë dy ditë më parë.

Një analizë e “Business Insider” shpjegon se arsyeja kryesore është se ekonomia ruse gjendet në një moment delikat për shkak të sanksioneve perëndimore që rëndojnë mbi të.

“Aftësia e Putinit për të qenë pragmatist në ekonomi nuk duhet të nënvlerësohet”, tha eksperti i çështjeve gjeopolitike Ian Bremer, njëherësh edhe president i “Euroasia Group”.

Faktet tregojnë se pavarësisht marrëdhënieve të ashpërsuara me Ukrainën, Moska ka vijuar të furnizojë vendin me gaz. Sipas analistit Bremer, Putin kohët e fundit ka ndryshuar kursin e sjelljeve me perëndimin, duke bërë progres në raportet diplomatike dhe një antagonizëm me një nga vendet e NATO-s si Turqia, nuk do të ishte në interesin e shefit të Kremlinit.

Janë shumë çështje ekonomike që lidhin Moskën me Ankaranë, si turizmi, tregtia apo edhe shpërndarja e gazit ku analistët i mëshojnë më tepër, pasi interesat aty janë shumë të larta për të dy vendet. Turqia varet fuqimisht nga Rusia për importin e gazit natyror.

Sipas “New York Times”, Rusia siguron më shumë se gjysmën e gazit natyror të Turqisë. Por, nga ana tjetër, Rusia gjithashtu varet nga Turqia e cila bën shpërndarjen e gazit natyror në Europë, aty ku Rusia nuk mundet të depërtojë. Ndërkaq të dy vendet prej disa muajsh janë në bisedime mbi një projekt tubacioni të gazit natyror që do të mundësonte Rusinë për të transportuar gazin e saj natyror në BE.

Kur projekti u njoftua në dhjetor të vitit 2014, teksa Putin ishte për vizitë në Ankara, së bashku me Erdoganin patën edhe një dalje publike ku u paraqitën si të bashkuar kundër Perëndimit, me të cilët të dy palët kanë problemet e tyre.

Po ashtu, sikurse “Reuters” shkruan Turqia, së bashku me Egjiptin, janë ndër blerësit më të mëdhenj të grurit rus. Turizmi gjithashtu ka rëndësi për të dy vendet. Në vitin 2014, 3.3 milionë turistë rusë vizituan Turqinë, numri i dytë më i madh i turistëve pas Gjermanisë.

Por, edhe futbolli nuk ngelet pas. Një pjesë e madhe e skuadrave ruse të futbollit e zhvillojnë fazën përgatitore të stërvitjes së tyre në disa zona të Turqisë. Sikurse mediat vendase raportojnë një shkëputje e ekipeve nga kjo rutinë stërvitore, do t’i kushtojë Turqisë plot 100 milionë euro.

Megjithatë ende nuk dihet ecuria e raporteve mes vendeve, por një gjë është e sigurt se lëkundja e ekonomisë do të jetë një “thikë pas shpine” për të dy palët./ Top Channel