Tërhiqet vendimi që parashihte trajtimin e të burgosurve në hapësirat e Gjinekologjisë

Klinika e Gjinekologjisë nuk do t’i ndajë, ashtu siç pritej, hapësirat e saj me të burgosurit që vijnë për t’u trajtuar, raporton KTV.

Marrëveshja e nënshkruar qysh në vitin 2013 nga ish-menaxhmenti i QKUK-së, është revokuar nga bordi drejtues i ShSKUK-së.

Pas ankesës së drejtoreshës së Klinikës së Gjinekologjisë, Myrvete Paqarada, e cila kishte thënë se nuk kishte qenë fare e informuar për këtë vendim dhe një sërë kundërshtimesh që erdhën nga organizata të ndryshme, bordi i ShSKUK-së ka marrë vendim që ta tërheqë këtë marrëveshje.
E drejtuesit e Sindikatës së QKUK-së, të cilët ditë më parë protestuan kundër vendimit që brenda hapësirave të Gjinekologjisë të adaptoheshin pacientët që vijnë nga burgjet, thonë se ShSKUK-ja ka mjaftueshëm objekte të tjera, të cilat kanë edhe siguri më të lartë.
Këto dhoma, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, është dashur të jenë të përfunduara qysh para dy vjetësh, kur edhe ishin dhënë në shfrytëzim nga drejtoria e QKUK-së./express