Trajneri aktual i Anderlechtit, Besnik Hasi, është futbollisti i parë kosovar që fillimisht luajti për Kosovën, e më pas iu bashkua Kombëtares së Shqipërisë. Hasi për Shqipërinë ka luajtur për shtatë vjet (2000-2007) dhe ka shënuar dy gola në 47 paraqitje.
Mirëpo, para se t’i bashkohej Shqipërisë, Hasi në disa raste ka luajtur edhe për Përfaqësuesen e Kosovës. Në vitin 1996 ishte pjesë e Kosovës që luajti në Duesseldorf të Gjermanisë kundër ekipit Kosova Duesseldorf. Ai po ashtu luajti për Kosovën edhe në fitoren historike kundër Arabisë Saudite (1:0), në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Turqi (15 qershor, 2007), shkruan sot Koha Ditore.
Pjesë e Kosovës dhe Shqipërisë, ka qenë edhe mesfushori i krahut, Mehmet Dragusha që ka luajtur edhe në Bundesligë. Në të vërtetë, Dragusha pasi ka luajtur kundër Shqipërisë me fanellën e Kosovës, ka rënë në sytë e drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit. Dragusha ishte pjesë e Kosovës në ndeshjen e zhvilluar në shtator të vitit 2002 në Prishtinë, e cila u mbyll me fitoren e Shqipërisë (1:0).
“Për mua ajo ndeshje ka qenë një reklamë e mirë, pasi i kam bindur krerët e FSHF-së për të më ftuar. Pas ndeshjes kam pasur biseda, pasi kisha rënë në sytë e trajnerit Dossena, por procedura e pajisjes me pasaportën e Shqipërisë ka nisur pas ardhjes së Briegelit, i cili edhe më ka njohur”, ka thënë Dragusha, i cili ka ende të freskët kujtimin e përballjes në Prishtinë. “Vështirë të përshkruhet një ndjenjë e tillë. Ishte loja më emocionuese në karrierën time. Stadiumi ishte plotë, ndërsa në fund të dyja ekipet fituam, edhe pse na mposhti Shqipëria”.
Dragusha as që kishte menduar se pas kësaj ndeshje, do të niste kontaktet me drejtuesit e FSHF-së, ndonëse të Shqipëria kishte njohur disa futbollistë. Për Shqipërinë debutoi në vitin 2003 dhe luajti deri në vitin 2005, duke realizuar një gol në dhjetë paraqitje. Dragusha thotë se ishte një nder i madh për të, që të luajë si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën.