Thaçi dhe Preteni bisedojnë për luftën kundër korrupsionit

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim drejtorin e Agjencisë Kundër-Korrupsion, Hasan Pretenin.

I pari i vendit ka falënderuar Agjencinë Kundër Korrupsion për punën e shkëlqyer që ka bërë ky institucion me nxjerrjen e raportit vjetor për vitin 2015. Ai ka thënë se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe, sipas tij, një prej mekanizmave të fuqishëm në këtë drejtim ka qenë edhe kjo agjenci.

“Tani presim lajme pozitive nga Brukseli për sa i përket rekomandimit për liberalizimin e vizave, ndërsa njëri prej kritereve kryesore që po ndikon në këtë lajm pozitiv është lufta e suksesshme e institucioneve të Republikës së Kosovës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë presidenti Thaçi, duke vlerësuar punën e të gjitha institucioneve, autoritetet hetuese, prokuroriale, gjyqësorin dhe të gjitha institucionet e tjera relevante vendore dhe ndërkombëtare.

Ndërkaq, drejtori i Agjencisë Kundër-Korrupsion, Hasan Preteni, falënderoi presidentin Thaçi për mbështetjen e vazhdueshme dhënë këtij institucioni, në kuptim të krijimit të kushteve më të mira për punë.

“Tani Agjencia nuk e ka asnjë kërkesë, as ndaj presidentit, as ndaj kryetarit të Kuvendit, as ndaj institucioneve qendrore, as ndonjë kërkesë të veçantë që të na krijohen kushte më të mira për punë. Agjencia që nga viti 2010 e ka edhe buxhetin e kërkuar, i ka edhe kushtet e mira për punë, e ka edhe stafin sipas organogramit, kështu që probleme logjistike nuk kemi”, është shprehur Preteni, i cili shtoi se ka biseduar me presidentin edhe për disa të dhëna nga raporti që, sipas tij, gjithmonë ka hapësirë për përmirësim.

“Preteni tha se Kosova prin në rajon përkitazi me deklarimin e pasurisë, pasi 99.5% e zyrtarëve tashmë e kanë deklaruar pasurinë, por shtoi se natyrisht mbetet për t’u bërë më shumë rreth bashkëpunimit më të fuqishëm të institucioneve që kanë për mision luftën kundër korrupsionit dhe mekanizmave të tjerë, në rend të parë të këtyre institucioneve në bashkëpunim më gjyqësorin”, thuhet në njoftimin e Presidencës. /Telegrafi/