Thaçi: Dialogu me Serbinë të bëhet më dinamik

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar marrëveshjen e parë mes Kosovës dhe Serbisë, e cila para tri vjetëve u nënshkrua nga ish-kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq dhe atëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Tri vjet më parë nisëm një kapitull të ri të komunikimit dhe bashkëpunimit në rajon. Pas një shekulli konflikt, arritëm marrëveshjen e parë paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve dhe në fund pajtimin mes dy popujve dhe dy shteteve, me udhëheqjen e BE-së dhe përkrahjen e SHBA-së”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij në Facebook.

“Ndonëse i kemi kthyer sytë nga e ardhmja më e mirë për popullin dhe shtetin, ne asnjëherë s’do të harrojmë sakrificën nëpër të cilën kemi kaluar. Për t’u siguruar që e ardhmja jonë nuk do të kërcënohet nga e kaluara, duhet që normalizimi dhe pajtimi të ndërtohen mbi drejtësi për të gjitha viktimat dhe të zbardhet fati i të pagjeturve”.

“Më e rëndësishmja është se jemi në rrugën e drejtë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, për gjeneratat e ardhshme, çfarë të gjithë ne kemi ëndërruar”.

“Është koha që dialogu të bëhet më dinamik, të rritet efikasiteti në implementim dhe të kalojmë nga procesi i normalizimit të raporteve në pajtim mes shteteve dhe popujve”.

Zbatimi i marrëveshjes në praktikë, megjithatë, thuhet se ka ngecur në shumë pika.

Në veçanti përmenden ngecjet në funksionalizimin e gjykatave në veri të Kosovës dhe në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili parashihet të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.

Ky asociacion është bërë edhe shkak i tensioneve të larta midis pushtetit dhe opozitës në Kosovë.

Opozita thotë se ky mekanizëm do të çonte në ndarje të Kosovës.