Thaçi qe pesë vjet rresht ka premtuar liberalizimin e vizave

Për pesë vjet me radhë, ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk u ndal asnjëherë së premtuari liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, raporton KTV.

Që nga zgjedhjet e vitit 2010 e deri më tash, ai ka vazhduar vetëm të flasë për këtë proces. Por, edhe pas këtyre viteve, Kosova ende mbetet në geto dhe kosovarët udhëtojnë shumë pak.

Më 2010, shtetet fqinje të Kosovës u liruan nga regjimi i vizave. Shqipëria dhe Bosnja Hercegovina janë dy shtetet e fundit që përfituan nga ky proces, por jo edhe Kosova që mbeti i vetmi vend i izoluar në Ballkan, transmeton Koha.net.

Është e vërtetë që premtimeve të Thaçit ia panë hairin vetëm kolegët e tij, me të cilët së bashku udhëtoi mjaft shumë. Ndërsa, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të presin me orë të tëra para ambasadave për të marrë viza, e që në masë të madhe kthehen të dëshpëruar në shtëpi.