Tradhtitë e sundimtarit serb që penguan luftën kundër osmanëve

Gjon Huniadi, që kishte pritur momentin e duhur me ushtrinë e tij të mbledhur, kishte marrë rrugën për Kosovë.

Të dhënat flasin se gjatë depërtimit të ushtrisë së Huniadit nëpër Rashkë (Serbi) kjo bëri që despoti Gjergj (Brankoviqi, E.R) të lajmërojë Muratin II për marshimin e hungarezëve (“Istorija srpskog naroda II…”, fq. 263).

Por, ka dëshmi të vërteta që, sipas të cilave, despot Gjergji i kishte dërguar informacione sekrete Muratit II mbi përbërjen e ushtrisë së Huniadit, shkruan Enver Rexha, në pjesën e dytë të serisë “Beteja e Kosovës në historiografinë serbe”, botuar në Koha Ditore. Këto informata ishin dërguar nëpërmjet Pascuale de Sorgos, i cili ishte në shërbim të Gjergj Brankoviqit.

Në raportin e De Sorgos ishte përfshirë edhe informacioni se Huniadit i kishin arritur emisarët e Skënderbeut, të cilët i kishin premtuar atij 20.000 luftëtarë (“Opis vojske Jovana Hunijada pri polasku u Boj na Kosovu”, M. Kostiċ, Glasnik SND, 1, Skoplje, 1925, fq. 79-91).

Për dallimin dhe informacionet që u kishte dërguar despot Gjergji turqve (osmanëve, E.R), flasin edhe të dhënat e hershme. (L. Chalkondylos, de Rebus Tur cicis, Bonae 1843; “Burimet tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë”, Tiranë, 1975, f. 331-332; M. Orbini, “Kraljevstvo slovena”, Z. Šundrić, Beograd, 1968).