Trajnerët që shkarkoi Gianni de Biasi

Pjesëmarrja e Shqipërisë në fazën finale të Kampionatit Europian në Francë, ishte një prej surprizave më të mëdha të futbollit në kontinent. Një kualifikim që gjithsesi nuk kaloi pa pasoja për rivalët e kuqezinjve.

Me mrekullinë e realizuar te Shqipëria, Gianni De Biasi jo vetëm që fitoi betejën me të gjithë rivalët në kualifikueset e Euro 2016. Strategu i Kombëtares u konfirmua “ngrënës” i kokave të trajnerëve, duke i shkarkuar drejtuesit e stolit të katra ekipeve të grupit.

Morten Olsen, i larguar nga Danimarka pasi përfaqësuesja skandinave dështoi në misionin drejt Francë, ishte më i fundit në radhë. Edhe pse nuk mund të mohohet fakti se shkaktar të drejtë për drejtë të mbylljes së epokës 15-vjeçare të Olsen ishin suedezët dhe Zlatan Ibrahimovic, që i mposhtën në sfidat play-off, pjesën e saj e luajti edhe Shqipëria.

Pozicionimi i kuqezinjve në vendin e dytë të Grupit I, pas Portugalisë, tronditi pozitat e teknikut. Madje prej barazimit pa gola më 4 Shtator në Kopenhagen dhe më pas me humbjen ndaj Portugezëve, trajneri më jetëgjatë në Europë mendoi largimin. Shansi i tij i fundit ishte faza play off. Olsen dështoi dhe detyrohet të qëndrojë në shtëpi.

Shqipëria e De Biasit nisi shkarkimin e trajnerëve prej ndeshjes së parë të fushatës drejt Kampionatit Europian. Suksesi i kuqezinjve, 0-1 në fushën e Portugalisë në Aveiro më 7 Shtator 2014 shkaktoi dorëheqjen e trajnerit Paulo Bento, me emërimin e Fernando Santos.

I dyti në rrjedhë kronologjike ishte Dick Advocaat. Menjëherë pas ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd më 14 Tetor 2014, të ndërprerë prej dhunës dhe racizimit ndaj kuqezinjve, Advocaat dha dorëheqjen.

Viktima e tretë e Shqipërisë së De Biasit u bë Bernard Challandes, që u largua nga posti në krye të Armenisë, pas disfatës 2-1 të pësuar më 29 Mars 2015 në Elbasan Arena.

Largimi i Olsen, edhe pse pak me vonesë, vetëm sa plotësoi kuadrin. Kombëtarja jo vetëm i shtangu të gjithë rivalët në fushë, por u tronditi pozitat, duke i detyruar të mendojnë të riorganizim e deri në rindërtim të skuadrave. /zeri/

Giani de Biasi