Trashësia po e shkatërron botën po aq sa edhe luftërat

Pasojat e obesitetit globalisht kushtojnë dy bilionë dollarë, sa edhe luftërat, sipas një raporti nga instituti amerikan “McKinsey”.

Mbi 2.1 miliardë njerëz në botë, pothuajse 30 për qind e popullsisë, vuajnë nga mbipesha ose trashësia, e cila e krijon një kosto vjetore prej dy bilionë dollarësh, dhe kjo është përafërsisht e barabartë me koston e luftërave dhe pirjen e duhanit, dhe më shtrenjtë sesa alkoolizmi, sipas “McKinsey”.

Është llogaritur kostoja financiare e kombinimit të humbjes së produktivitetit për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga trashësia dhe kostot e kujdesit shëndetësor.

Përqindja e njerëzve të trashë, e cila në botë është dy herë e gjysmë më shumë sesa njerëzit e ushqyer keq, deri në vitin 2030 do të mund të arrijë 50 për qind, paralajmëron studimi.

“Obesiteti është një nga top tri barrat sociale të krijuara nga njerëzit”, sipas institutit, transmeton Koha.net. Shkencëtarët e institutit bëjnë thirrje që politikat e përgjithshme ambicioze dhe sistemi global të reagojnë ndaj këtij problemi në rritje.

“Këto iniciativa do të duhej të përqendrohen më shumë në ndryshimet në mjedisin shoqëror dhe jo të mbështeten në përgjegjësinë individuale”, thotë “McKinsey”.

“Një pjesë e kësaj bote të çekuilibruar ende vdes nga uria. Pjesa tjetër ‘mbushet’ deri në trashje,” ka thënë Margaret Chan, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Sistemi botëror i të ushqyerit është prishur dhe mbështetet në prodhimin industrial të një ushqimi të përpunuar dhe të pashëndetshëm, i cili nuk ka qenë kurrë më i lirë”, theksoi ajo, duke shtuar se në disa pjesë të botës më pak kushton të importohet ushqimi se sa të prodhohet në vend. Ajo u bëri thirrje të gjitha vendeve të botës që “në bashkëpunim me shoqërinë civile, shkencëtarët dhe sektorin privat ta gjejnë zgjidhjen e duhur për shëndet të mirë”. /Telegrafi/