Tre kandidatë për drejtor të Fondit të Sigurimeve, vetëm njëri prej tyre i plotëson kriteret

Tre kandidatë kanë aplikuar në konkursin për drejtor të Fondit të Sigurimeve, por vetëm njëri prej tyre i ka plotësuar kriteret.

Kandidatët janë Ilir Krasniqi, Liridon Gashi dhe Ilir Rexhepi. Por sipas njoftimit nga FSSH, vetëm Ilir Krasniqi i ka plotësuar kriteret për t’u kualifikuar si kandidat.

Kujtojmë se Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) përmes një reagimi publik kanë kërkuar anulimin e këtij konkursi duke deklaruar se disa nga kriteret janë të jashtëligjshme.

“Ne konsiderojmë që kërkesa e përgjithshme e paraqitur në konkurs, më konkretisht arsimi i kërkuar dhe uljes së përvojës së punës është në kundërshtim me Ligjin Nr 06/L-114 për Zyrtarët Publik, specifikisht Rregulloren Nr.12/2022 për klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil. Kjo rregullore i rregullon kërkesat e përgjithshme formale për secilën klasë të shërbimit civil duke mos u kufizuar vetëm në shërbimin civil por përfshinë edhe pozitat e nëpunësve të shërbimeve publike ku përfshihet edhe pozita Drejtor Ekzekutiv ose Sekretar i Përgjithshëm i Instituticionit të Administratës së Shërbimit Publik”, thuhej në këtë reagim.

Por Bordi Drejtues i FSSH-së kishte reaguar duke thënë se ky institucion nuk rregullohet me Ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore por me Ligjin për Sigurime Shëndetësore.

“Fondi është institucion publik me interes të posaçëm, me autonomi ligjore të personit juridik, me të drejta, obligime, përgjegjësi dhe autorizime të veçanta, për zbatimin e ligjit për Sigurime shëndetësore. Si i tillë FONDI nuk rregullohet me Ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura por me Ligjin për Sigurimet shëndetësore. Të punësuarit në këtë institucion nuk kanë statusin e shërbyesit civil. Bordi Drejtues i Fondit që në stadin përgatitor për këtë rekrutim (konkursit për pozitën e Drejtorit të Fondit) ka zhvilluar konsultime të afërta edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme, përkatësisht DMZP. Gjithashtu, është njoftuar edhe Projekti Britanik për Monitorimin e Rekrutimit të Pozitave të Larta Drejtuese”, thuhej në këtë reagim. /Gazeta Shneta/

The post Tre kandidatë për drejtor të Fondit të Sigurimeve, vetëm njëri prej tyre i plotëson kriteret appeared first on Gazeta Shneta.