Tregtia e Belgjikës me diamantet rusë

Nga Sadiola Xhelili

Një shëtitje nëpër lagjen e diamanteve të Antwerp zgjat vetëm pesë minuta.

Por përmes një kilometri katror në një të katërtën e zymtë të qytetit belg kalojnë 86 për qind e diamanteve të papërpunuara në botë.

Atje mbërrijnë gurë të çmuar miliarda-vjeçarë nga thellësitë e largëta të minierave në Botsvana, Kanada, Afrikën e Jugut, Angola dhe Rusi.

Belgjika, paçka luftës në Ukrainë, vijon të importojë diamante nga Rusia, megjithëse në sasi të pakësuara.

BE-ja e ka ndaluar importimin e qymyrit rus, po heq dorë nga pjesa më e madhe e naftës ruse dhe ka ndaluar blerjen e mallrave të shumta ruse.

Ama diamantet i janë shmangur listës së sanksioneve.

Kjo është edhe më e habitshme pasi tregtia prek vetëm një shtet anëtar të BE-së – Belgjikën – e cila gjithmonë ka thënë se nuk do të bllokonte një ndalim.

Sakaq, tregtia ka vazhduar pavarësisht presionit moral nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy. Paqja vlen “më shumë se çdo diamant”, i ka thënë ai parlamentit të Belgjikës në mars.

Kompania ruse e diamanteve, Alrosa, kontrollohet nga shteti rus.

Rusia dhe republika e Yakutia, rajoni i gjerë i Siberisë veriore që është shtëpia e shumicës së minierave të kompanisë, së bashku zotërojnë 66 për qind të kompanisë.

Shefi ekzekutiv Sergei Sergeevich Ivanov ka qenë një nga oligarkët e parë që u sanksionua nga SHBA-të në ditën e parë të pushtimit rus.

I ati i tij, Sergei Borisovich Ivanov, një ish-ministër rus i mbrojtjes, gjithashtu nën sanksione të SHBA-së, thuhet se është një nga aleatët më të ngushtë të Vladimir Putin-it.

Për më tepër, kompania ka financuar një nëndetëse luftarake B-871, të quajtur Alrosa. Ajo u kthye në det në qershor pas një përmirësimi tetë-vjeçar që përfshinte pajisjen e anijes me raketa lundrimi Kalibr.

Kështu, zyrtarët e BE-së i janë referuar financimit të nëndetëses si një arsye për ta vendosur minierën e diamanteve nën sanksionet e BE-së.

Por kur drafti përfundimtar u miratua, Alrosa ishte zhdukur nga lista. Hera e dytë kjo, që ishte zhdukur në minutën e fundit.

Polonia dhe shtetet baltike po bëjnë sërish presion që diamantet të përfshihen në raundin e ardhshëm të sanksioneve të BE-së që zyrtarët e lartë kanë premtuar para fundit të vitit.

SHBA-të, nga ana tjetër, kanë ndaluar importin e diamanteve jo-industrialë nga Rusia, ndërsa Britania e Madhe e ka sanksionuar kompaninë Alrosa në mars.

Ama asnjë vend nuk ka një qendër kaq të madhe tregtare diamantesh sa Belgjika.

Antwerp ka tregtuar diamante që nga shekulli i XV-të.

Afro 1 mijë e 700 kompani dhe 4 mijë e 500 tregtarë blejnë dhe shesin të tillë. Duke u përballur me konkurrencë të ashpër nga India dhe Lindja e Mesme, qyteti është krenar për artizanët dhe tregtarët pionierë.

Në vitin 1919, ishte matematikani dhe gjeologu belg Marcel Tolkowsky ai që llogariti se 57 anët ishin prerja perfekte për të kapur shkëlqimin e një diamanti.

Prerja e Tolkowsky-t do të sillte shkëlqim në unazat e fejesës, varëset dhe bizhuteritë e tjera në mbarë botën.

Burra me çanta të zeza ecin qëllimisht përgjatë Hoveniersstraat, një nga rrugët kryesore, e mbushur me zyra tregtarësh, argjendari dhe makina policie.

Teksa industria është bërë më digjitale, të brendshëm thonë se nuk ka asnjë zëvendësim për të parë një diamant nën mikroskop për të gjykuar vlerën e tij.

Para pushtimit të Ukrainës, 25 për qind e diamanteve të papërpunuara që kalonin nëpër Antwerp vinin nga Rusia.

Në vitin 2021, Belgjika importoi 1.8 miliardë euro diamante ruse dhe 1.2 miliardë euro në tetë muajt e parë të vitit 2022, sipas statistikave nga banka kombëtare e Belgjikës.

Tregtia, vitin pasardhës, u rrit ndjeshëm në qershor në 393.8 milionë euro, më pas ra ndjeshëm.

Në gusht të vitit 2022, Belgjika importoi 35.9 milionë euro diamante ruse, krahasuar me 215.4 milionë euro në të njëjtin muaj në vitin 2021, një rënie prej 83 për qind nga viti në vit.

Zëdhënësi Tom Neys ka treguar se rritja në qershor pasqyroi marrëveshjet e diamanteve që ishin “të mbyllura përpara se të fillonte lufta”.

Sapo filloi konflikti, industria ishte në pasiguri.

Pavarësisht rënies së madhe të tregtisë që nga qershori, Neys kundërshton një ndalim importi.

Antwerp duhet të mbetet “një derë e hapur për kompanitë që nuk kanë opsione, për ne gjëja më e rëndësishme është që këto kompani të kenë mundësinë të përshtaten me tregun e ri”.

Sipas tij, kompanitë e mëdha kanë alternativa ndaj diamanteve ruse, por për tregtarët e vegjël kjo është tejet e vështirë.

Belgjika nuk është aspak e vetme në sigurimin e përjashtimeve për industrinë e saj.

Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke janë të përjashtuara nga embargoja e naftës. Italia dhe Belgjika siguruan një afat për ndalimin e disa produkteve të çelikut rus, duke përmendur rrezikun e humbjes së vendeve të punës.

Disa vende janë dashamirës ndaj argumenteve të Belgjikës.

Ndalimi i diamanteve ruse “do të funksiononte kundër nesh sepse tregtia do të shkojë në Indi”, ka thënë një diplomat i lartë i BE-së.

Për të tjerë, Belgjika duhet të gjejë guximin për të ndarë dhimbjen e sanksioneve me të gjithë partnerët e tjerë të BE-së”.

Pjesëtarët e industrisë së diamanteve në Antwerp argumentojnë se kjo mënyrë veprimi do të shkaktonte një eksod të tregtarëve të diamanteve për në Lindjen e Mesme dhe Indi, vende që ende tregtojnë me Rusinë.

Një pronar i një argjendarie të atjeshme ka sqaruar se tregtia tashmë është e rregulluar fort.

“Ne i marrim diamantet tona nga tregu, i cili tani më shumë se kurrë po bën çdo përpjekje për të hetuar origjinën dhe etikën e furnizimit të tyre të përafërt”, ka thënë Peter Poussenier.

“Diamantet flasin për fantazinë e lidhur me pasurinë, kështu që njerëzit janë shumë më kritikë”, ka shtuar ai.

Një tjetër ka treguar se nuk e dinte origjinën e diamanteve të tij, nëse ata vinin nga Rusia apo gjetkë. “Nuk mund ta dish kurrë”, ka thënë ai.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.