Shkruan: Bardhyl Bejko
Akti i vendosjes së tritolit në mjetin e kreut të “Rithemelimit “në Vaun e Dejës, Bernard Ndrecës, është lajm i trishtë. Nga kjo ngjarje askush nuk gëzohet dhe opinioni i gjerë shoqëror e dënon si akt keqdashës me synime të qarta për të destabilizuar situatën parazgjedhore. Aktin e dënuan menjëherë njëzëri Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili bëri thirrje për të vënë para përgjegjësisë cilindo që ndërmerr akte të tilla të dënueshme. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Kryetari i Grupit parlamentar të deputetëve socialistë, Taulant Balla. E deleguara e Qarkut të Shkodrës, Spiropali dhe opinioni i gjerë shoqëror. Dënuan aktin e rëndë dhe i bënë thirrje autoriteteve për të vënë përballë ligjit autorët cilëtdo qofshin ata.
Në deklaratat e tyre nuk u dëgjua asnjë akuzë dhe nuk u tregua me gisht askush. Qëndrimi ishte institucional edhe nga kandidatja e PD. Nga deklaruesit nuk u la vend për paragjykime, aq më tepër të bëheshin akuza për emra të veçantë. Ky është qëndrim, që nuk i shton dozën e urrejtjes aq më pak të akuzave të pavërtetuar.
Në disa fushata elektorale në vendin tonë, fatkeqësisht kanë ndodhur ngjarje të cilat kanë cenuar sigurinë dhe paprekshmërinë e zgjedhjeve demokratike, duke krijuar situata të pakëndshme. Janë kërcënuar dhe rrahur kundërshtarët politikë, janë sulmuar takimet e hapura dhe është penguar lëvizja e liderëve politikë për t’u takuar me mbështetësit e tyre.
Nuk flasim këtu për gjakosjen e drejtuesve socialistë në Sheshin “Skënderbej”, kronikat e kohës u shfaqën në ekranet e mediave vizive në gjithë botën, atje ku u rrah dhe u gjakos opozita e kohës dhe gjaku i derdhur nga shteti i Berishës u justifikua me etiketimin se ishte bojë e kuqe. Nuk është e mundur të listohen rastet e dhunës dhe akteve kriminale të kryera nga viti 1990 deri në ditët e sotme.
Rastet janë të panumërta dhe jashtëzakonisht tronditëse, që jo pak herë kanë ngjallur panik tek qytetarët, të cilët janë detyruar të largohen drejt shtëpive të tyre për t’iu shmangur përplasjet dhe për të mos humbur jetë.
Memoria kombëtare dhe mbarë shoqërore është e tejngopur me ngjarje të rënda dhe humbje jete. Shumë prej tyre janë bërë në dritë të diellit dhe në syrin e të gjithëve. Nuk ka nevojë të kërkosh në arkiva për të gjetur pamjet fatale të rrahjeve deri edhe vrasjeve në mes të ditës pa folur për djegien e vendvotimeve dhe shkollave të përshtatura për të votuar qytetarët, siç ndodhi në zgjedhjet e përgjithshme dy vjet më parë. Dhe protagonistë të këtyre akteve kriminale ishin pikërisht këta që sot në Vaun e Dejës konkurrojnë për t’u bërë kryebashkiakë në këtë bashki, siç është Zef Hila, i cili me urë në dorë i vuri zjarrin shkollës dhe dogji qendrat e votimit. Për këtë u shkarkua dhe sot kërkon votën e qytetarëve.
Po nuk ndalet këtu historia e dhunës dhe vrasjeve politike. Në Elbasan, strukturat e armatosura të mbrojtjes së votës, organizëm i armatosur deri në dhëmbë, duke mobilizuar edhe pjesëtarë të forcave elite të policisë në qendër të Elbasanit goditën drejt e në trup, aktivistin e PS- së, mjekun Xhuvani, i cili ndërroi jetë nga plumbat që u shkrehën nga dora e atij që kishte detyrë të mbronte qytetarët dhe t’u garantonte paprekshmërinë për të zhvilluar fushatë korrekte dhe paqësore.
Kanë kaluar më shumë se dy vjet dhe ende për këtë krim të rëndë, i vërtetuar se në drejtim ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, i nominuar si Ministri i Brendshëm i ardhshëm.
Vrasja e Elbasanit është vërtetë ngjarje e rëndë, e patolerueshme për një shoqëri demokratike. Edhe pse kanë kaluar më shumë se dy vjet nuk ka përfunduar gjyqi kundër atentatorit dhe nxitësit e tutorit e tij. Po në të njëjtën kohë mes demokratëve kërciti pushka në mes të qytetit të Kavajës. Berisha e Meta akuzuan qeverinë dhe dolën blof. Këto ngjarje janë të dhimbshme dhe nuk mund të amnistohen.
Po cili ka qenë qëndrimi i liderëve të PS—së.
Nuk ka ndodhur kurrë që të dalin në podiume të zaptojnë ekranet dhe mikrofonët për të bërë prokurorin dhe aktakuzën. Përkundrazi kanë dënuar aktet kriminale dhe kanë kërkuar të vihen para përgjegjësisë personat përgjegjës. Në këtë mënyrë u kanë hapur rrugën institucioneve ligjzbatuese të kryejnë detyrën. Kurrë nuk kanë cituar emra edhe kur provat e faktet kanë qenë të dukshme dhe dëshmitarët pa fund.
Po ç’po ndodh me “Rithemelimin “dhe bashkëkoalicionistin Ilir Meta si dhe drejtues qendrorë e lokalë të koalicionit “ Bashkë fitojmë”? Më parë se të shpërndahet lajmi, politikanët opozitarë gjejnë menjëherë vrasësin dhe në rastin e vendosjes së lëndës plasëse në mjetin e kryetarit të “ Rithemelimit”, Berisha gjeti menjëherë cili ishte atentatori. Tregoi me gisht Edi Ramën!
Si për shumë ngjarje tragjike të ndodhura, jo vetëm në prag fushatash apo në mes të tyre, liderët politikë kanë bërë kompetentin dhe kanë dhënë verdiktin përfundimtar duke drejtuar gishtin dhe etiketuar fajtorin personin që ka kryer krimin.
Drejtësia është anashkaluar. Nxitimi për të treguar me entuziazëm se vrau qeveria, atentatori është Edi Rama, se pas çdo akti kriminal është ai, tregon mjerimin dhe papërgjegjshmërinë e politikanëve tanë.
Sapo shpërtheu lënda plasëse në Vaun e Dejës, menjëherë para shqiptarëve në rolin e kryehetuesit dhe drejtuesit të inteligjencës, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën. Ai e bëri! Ai e vendosi tritolin duke habitur edhe fëmijët si një tetëdhjetëvjeçar të flasë me siguri absolute si të ishte magjistari më i madh në botë.
Po kjo praktikë është prej tri dekadash. Dhe Berisha në këtë gjatësi vale ka qenë përherë. Sa hap e mbyll sytë, gjen atentatorin dhe ekzekutorin. Mjerim më të madh zor se ndesh një jetë të tërë. Kot janë organet, pa vlerë institucionet. Kryeinstitucioni është ai, i madhi Sali. Për t’u dhënë zë deklaratave të Berishës në të njëjtën sekondë, qiradhënësi, Meta e gjeti edhe ai atentatorin.
Pa u menduar dy herë edhe Jozefina Topalli e gjeti. Korit të kukuvajkave iu bashkua edhe Bardh Spahia, se nuk mund të mos e gjente edhe ai kriminelin, që shkeli pultin e hedhjes së kryethemeluesit të bashkisë në erë! Edhe papërgjegjshmëria ka një kufi. Shpifjet, akuzat po ashtu.
Kështu , siç flasin krerët e opozitës ,ngazëllimi që shfaqin dhe bindja se pas çdo krimi është qeveria dhe Edi Rama në krye si të kërkonte të shkatërronte imazhin e vet, tritoli dhe çdo akt antiligjor përdoret nga liderët e koalicionit “Bashkë fitojmë “si alibi se krimi është vetë shteti! /sot.com.al/