Tsipras kërkon të dëbojë FMN’në nga Greqia

Reagime të mëdha brenda dhe jashtë vendit ka ngjallur një deklaratë gjatë një interviste që ka dhënë para disa gazetarëve në televizionin shtetëror ERT kryeministri grek Aleksis Tsipras, sipas të cilit FMN-ja nuk luan tashmë një rol konstruktiv në shpëtimin e Greqisë.

“Nuk është e nevojshme pjesëmarrja e organizmit financiar në programin grek të ndihmës”, ka qenë vlerësimi i Tsiprasit, i cili ka theksuar se nevojat e financimit të vendit në këtë fazë janë reduktuar, ndërsa ka akuzuar përfaqësuesit e FMN-së se zakonisht bëjnë kërkesa me bazë jorealiste.

“Përfaqësuesit e Fondit vijnë në Greqi dhe kërkojnë reforma jashtëzakonisht të vështira, duke ditur se as sistemi politik dhe as shoqëria nuk mund t’i pranojnë ato dhe më pas shkojnë tek partnerët europianë dhe kërkojnë zgjidhje dhe propozime për qëndrueshmërinë e borxhit, për të cilat e dinë se nuk mund të pranohen prej tyre. Ky është një qëndrim që nuk mund të karakterizohet si konstruktiv në këtë proces”, u shpreh Tsipras.

Marrëveshja që Greqia ka nënshkruar me huadhënësit në 13 korrik të vitit 2015 në Bruksel parashikon për 3 vjet një ndihmë prej 86 miliardë euro në këmbim të reformave, 25 miliardë euro vetëm për rikapitalizimin e bankave, të cilat përfundimisht nuk kërkuan më shumë se 5.7 miliardë euro në këtë proces.

FMN-ja kishte deklaruar se do të vendoste në janar të vitit 2016 nëse do të marrë pjesë në programin e tretë, ashtu siç kishte bërë edhe për dy paketat e para të ndihmës për Greqinë.

“Kur dy palë janë në një proces negociues, ata duhet të kërkojnë një kompromis dhe jo secili të shkojë në versionin e tij ekstrem. Kompromisi duhet të gjendet në mes të rrugës. Fondi duhet të vendosë nëse kërkon kompromis, nëse do të qëndrojë apo jo në program. Në qoftë se nuk dëshiron kompromis, kjo është gjithashtu diçka që duhet ta thotë publikisht”, shtoi Tsipras.

Deklarata e Tsiprasit dhe qëndrimi i tij sulmues ndaj FMN-së është komentuar nga shumë media të huaja midis tyre gazeta franceze “Le Monde” apo dhe prestigjiozet gjermane “Suddeutsche Zeitung” dhe “Die Ëelt”.

Ndërsa FMN-ja ka kërkuar në dy paketat e para të ndihmës, përveç prerjes së bonuseve dhe liberalizimin e tregut të punës, edhe shkurtimin e pagave dhe pensioneve. Tsipras ka deklaruar në intervistën e fundit se nuk do të presë më pensionet që kanë pësuar prej fillimit të krizës 11 reduktime të ndryshme.

Ai ka deklaruar gjithashtu se qeveritë europiane duhet të lehtësojnë Athinën në një shkallë që vetë ato e konsiderojnë të pranueshme, si për shembull të mos ketë një shërbim të borxhit kolosal publik për 30 vjet, në mënyrë që më pas ai të bëhet i qëndrueshëm./TopChannel/