U promovuan veprat e autorit, Xhevat Limani

“Artisti pa atdhe” dhe drama “Dodona”, ishin veprat e Xhevat Limanit që janë promovuar gjatë ditës së sotme në Prishtinë. E veçanta e këtij promovimi ishte se vetë autori edhe e moderoi këtë promovim, i cili nuk foli për vete dhe për librat e tij. Ai ishte i pranishëm aty duke prezantuar të gjithë ata që kishin ardhur të flisnin për të, dhe kështu për secilin tregonte nga një histori.

Mbrëmjen e së mërkurës në ambientet e American School of Kosova u promovuan dy vepra, romani “Artisti pa atdhe” dhe drama “Dodona”, vepra këto të aktorit, regjisorit, shkrimtarit, dramaturgut e poetit të mirënjohur nga Struga, Xhevat Limanit, i cili gati një dekadë e gjysmë jeton në SHBA. Për promovimin e këtyre veprave, dhe për ta nderuar autorin të pranishëm ishin familjarë, miq dhe dashamirë të Xhevat Limanit, të cilët e vlerësuan lartë punën e këtij autori të bërë ndër vite.

E veçanta e këtij promovimi ishte se vetë autori edhe e moderoi këtë promovim, i cili nuk foli për vete dhe për librat e tij. Ai ishte i pranishëm aty duke prezantuar të gjithë ata që kishin ardhur të flisnin për të, dhe kështu për secilin tregonte nga një histori. Autori i romanit “Artisti pa atdhe” dhe dramës “Dodona”, Xhevat Limani këtë promovim e nisi me pak fjalë dhe me një prezantim të dy violinistëve kosovarë. “Nuk dua ta fillojë me fjalë, por i ftoj këtu mjeshtërit e tingujve Sihana Badivukun dhe Blerim Grubin, pasi që, kështu fillon edhe romani im, pra me pak tinguj”, tha autori.

Pas interpretimit të artistëve, Sihana Badivuku dhe Blerim Grubi për të folur para të pranishmëve doli profesori, Nebih Islami i cili për autorin tha se ai ka lënë shumë gjurmë, sidomos tek shqiptarët në Maqedoni. “Xhevati ka lënë gjurmë në ato kohë të valës së emancipimit të shqiptarëve në Maqedoni, ku nga fjala e tij mblidheshin shumë njerëz dhe, pa marrë parasysh se ai u tërhoq, fjala e tij dhe vepra e tij ka lënë gjurmë në vetëdijen e gjeneratave në Maqedoni”, theksoi Islami, ku menjëherë pas tij për të folur për romanin e Xhevat Islamit doli shkrimtari, Agim Gjakova i cili fillimisht tregoi se nuk do të flet për autorin, pasi që, sipas tij për të flet vetë libri i tij.

““Artisti pa atdhe”, që unë e quaj himn për atdhedashurinë është një shkrim i grumbulluar ndër vite, i ngjeshur, i lëmuar që shpërthen në këtë botë e që ia përplas në ndërgjegje tërë gamës së jetës. Gjatë leximit të romanit vërehet gjuha e ngrohtë, shkoqitëse, ironike, rebele, sarkastike, shoqëruese, ftilluese e rrjedhshme dhe e kuptueshme, domethënëse. Pra libri është shkruar me një stil të zemëratës”, u shpreh Agim Gjakova.

Ndërkohë rikujtojmë se këto dy vepra janë promovuar edhe në Tiranë, e më pas do të promovohen edhe në vendlindje të autorit Limani ku promovimi do të bëhet me 21 nëntor në sallën e konferencave në hotelin “Drim”, në Strugë. /KultPlus/