Unë deputeti i vetëpërjashtuar nga Kadri Veseli, Ismet Beqiri dhe Adem Grabovci

UNË DEPUTETI i VETËPËRJASHTUAR NGA KADRI VESELI, ISMET BEQIRI DHE ADEM GRABOVCI

Që nga momenti i bllokimit të parë të seancave parlamentare nga ana e deputetëve të opozitës e deri më sot kanë qarkulluar ide, opinione, analiza e receta të ndryshme si për arsyet e bllokimeve, ashtu edhe për mënyrën se si mund të dilet nga kjo situatë. Përderisa puna e kuvendit dhe qeverisë e bashkë me të edhe ekonomia kanë parë teposhtëzën, analistat, opinionistët dhe ekspertët kanë qenë në konjukturë rritjeje të vazhdueshme. Në mesin e shumë vlerësimeve të tyre, ato që janë përmendur shpesh kanë qenë se opozita po synon bllokimin e seancave për të ardhur në pushtet ose po synon që përmes bllokadave të pamundësojë specialen, e cila sa po mund të përfundoj nga këta analistë po del se qenka krijuar enkas për të shtypur opozitën. Por ja që opozita e paska kuptur që gjykata speciala është dedikuar atyre dhe tani me gaz lotësjellës po mbrohen prej saj. Poashtu është thënë se ka deputetë të opozitës që nuk pajtohen me këtë por që po frikohen të dalin haptazi kundër këtyre qëndrimeve.
Në vazhdim do përpiqem që për gjithë votuesit e mi dhe për qytetarët të jap versionin tim për gjithe këto zhvillime. Mendoj se secili veprim si i pozitës ashtu edhe pozitës duhet parë në raport me kornizën nën të cilën kanë ndodhur. Por cilat janë elementet që e ndërtojnë këtë kornizë? Dhe cili është mendimi im për secilin prej tyre?
1. Pozicionimi ndaj marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacioni ma Malin e Zi. Shumëçka varet nga bindja që secili prej nesh krijon mbi këto dy marrëveshje. Pyetja kryesore këtu është: A pamundëson asociacioni funksionimin normal të shtetit të Kosovës, dhe a i ipet Malit të Zi një pjesë e territorit tonë me marrëveshjen e demarkacionit. Unë jam shumë i sigurtë se asociacioni nuk është OJQ, meqë do të sihte shumë e palogjikshme që dy shtete e bashkë me to edhe BE të shpenzojnë dy vite për të negociuar një OJQ. Unë jam shumë i sigurtë që asociacioni nuk është krijuar në mënyrë që pala serbe të „vështroj“ apo „të informohet“ për qështjet me rëndësi për ta siç po na manipulon kryeministri Mustafa. Nuk investohen dy vite bisedime për të krijuar një OJQ e cila informohet në një shtet ku pala serbe jo vetëm që informohet, e vështron, por thjesht kontrollon çdo veprim. Madje edhe pamundëson prezencën e shtetit të Kosovës. Unë jam shumë i sigurtë që asociacioni merr jo vetëm kompetenca ekzekutive, por edhe kompetenca legjislative, madje deri në nivelin kushtetues, andaj edhe çdo tentativë për të argumentuar se gjoja nuk preket rendi kushtetues është e palogjikshme. Njësoj siç jam i sigurtë se as naivët më të mëdhenj nuk kënaqen me konstatimin në pikën e parë se ky asociacion formohet në harmoni me ligjet e Kosovës për të konkluduar se nuk paska rrezik nga ai. Jam shumë i sigurtë se ky asociacion nuk e sjell njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, edhe pse një njohje e tillë do të ishte krejtësisht e panevojshme nëse shteti bëhet paraprakisht disfunksional. Si përfundim jam shumë i bindur se ky asociacion është krijuar nga Beogradi me të vetmin synim për të pamundësuar funksionimin normal të shtetit të Kosovës.
Jam konsultuar me ekspertët më të mirë që ka Kosova në fushën e gjeodezisë dhe kam lexuar publikimet në lidhje me marrëveshjen e demarkacionit me Malin e ZI, përfshirë këtu edhe vetë prcesverbalet nga takimet e komisionit tonë me atë malazez. Nga gjithë kjo jam shumë i sigurtë se Kosova po i jep Malit të ZI më shumë se 8.000 hektarë tokë. Poashtu besoj se kjo dhënie e tokës nuk është rezultat i jokompetencës së ekipit kosovar. Por mendoj se ekipi ka qenë jokompetent mu për arsye që dikush ka dashur të japë tokën e Kosovës. Nuk po them se Malit të Zi i është falur territor, sepse mendoj se ata që kanë vendosur për këtë me siguri do jenë kompenzuar në ndonjë mënyrë.
2. Vlerësimi mbi kualitetin e përfaqësimit në Kuvend! Jam shumë i bindur dhe kjo është dokumentuar disa herë në 12 muajt e fundit që ky legjislativ ka në vete një numër shumë të madh të deputetëve oportunë që në asnjë rast nuk kanë brengë kryesore interesin e vendit apo qytetarëve. Prej një pjese të tyre (lista Srpska dhe SHIK-u) do të ishte iluzion të pritej diçka e tillë, por e kam fjalën për disa të tjerë, kryesisht për deputetët e LDK-se dhe një pjese të PDK-së. Besoj që nuk ka ligj, vendim apo marrëveshje, sado e dëmshme të jetë, të cilën këta deputetë nuk janë të gatshëm ta kalojnë nëse e njejta u kërkohet nga liderët e tyre. Apo nëse kërcënohen me zgjedhje të reja ku nuk do ishin pjesë e listave zgjedhore. Shumë më keq, janë të gatshëm të dëmtojnë në thelb, vlerat fundamentale të shtetit mu nën pretendimet për mbrojtjen e të njejtave. Është e pakuptimtë të thuhet se do të votonin kundër marrëveshjeve sikur të ishin të bindur se janë të dëmshme. Vetë kryeministri Mustafa, publikisht i ka bindur se marrëeshja për asociacionin është e dëmshme. Ai në Rubikon ka deklaruar se po të pytej ai, kurrë nuk do kishte asociacion, meqë vendit nuk i duhet. Me këtë konstatim ajo jo vetëm që ka dëshmuar se asociacioni është i dëmshëm, por shumë më tepër se kjo. Ai ka potencuar se ai edhe pse kryeministër formal i vendit, nuk pyetet fare për këto qështje. Ndërkaç vetë ekspertët e LDK-së në shumë raste i kanë bindur kolegët e tyre që Malit të ZI po i ipet territori i Kosovës. Por siç duket, asnjëra nga këto nuk janë me rëndësi për ta sa që të rrezikojnë rehatinë e tyre. Në vend se të mbledhin nënshkrime për rrezimin e marrëveshjeve, këta deputetë, bashkë më miqtë e tyre nga Lista Srpska kanë mbledhur 84 nënshkrime ku kërkohet suspendimi i opozitës dhe intervenimi i policisë ndaj tyre. Kanë nëshkruar për kërkesë që në kuvend të futet policia për të goditur ata që kundërshtojnë këto marrëveshje. Këta deputetë konformistë që të lodhin me predikimet për vlera demokratike, për rëndësinë e institucioneve dhe të shtetit, nuk e kanë fare problem të ulen në sallë ku me forcë është përjashtuar opozita dhe të debatojnë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Dhe të mos deklarohen me as një shkronjë të vetme mbi sulmin ushtarak që qeveria dhe ministrat e tyre kishin ndërmarrë dy ditë më parë ndaj partisë kryesore opozitare.Madje edhe të festojnë me dreka zyrtare nga paratë e takspaguesve, përgjatë procesit ku kanë votuar për kapjen përfundimtare edhe të gjykatës kushtetuese me militantë të tyre, por edhe të Bordit të trustit të pensioneve të vendit. Kjo madje edhe nga disa deputetë që po na rekomandojnë zgjidhje që burojnë nga vendimet e po kësaj gjykate kushtetuese, kapjen e së cilës e mbështesin.
3. Pozicionimi ndaj dy kreatorëve të krizës përmes nëshkrimit të marrëveshjeve të dëmshme. Është thënë shumë herë në publik si nga analistët, opinionistët dhe ekspertët, por edhe nga vetë deputetët e koalicionit qeverisës, se Thaqi e Mustafa nuk po i nëshkruajnë këto marrëveshje se janë të korruptuar, të shantazhuar, jopatriotë apo injorantë, por thjesht meqë ndaj tyre po ushtrohet presion i fuqishëm ndërkombëtarë. Janë punë të mëdha këto, e këta dy shumë të vegjël në këtë konstelacion. Unë pajtohem pjesërisht me këto konstatime. Pajtohem se nënshkrimet nuk janë hedhur si pasojë e shantazhimit me 72 dosje apo me gjykatë speciale. Dikush që ka minimumin e burrërisë, patriotizmit apo inteligjencës nuk do kishte rënë pre e shantazheve të tilla. Kjo meqë secili lëshim pe ndaj një shanatzhi e hap rrugën për shantazhet e radhës. Unë mendoj se nëse dikush ka mundur të ushtroj shantazh ndaj Thaqit e Mustafës, do të ishte vetëm populli i Kosovës përmes referendumit. Kjo meqë ata nuk janë politikanë të tillë çfarë sepse janë të shantazhuar. Ata janë në ato pozita pse janë politikanë të tillë. Nuk mendoj se është rastësi që Isa Mustafa është katapultuar në krye të LDK-së pa kontribuar fare në të, e Hashim Thaqi në krye të UÇK-së pa asnjë ditë të vetme aksioni luftarak. Dikush ka punuar që këta njerëz të vijnë në pozita të tilla dhe për këtë duhet të ketë patur një arsye. Kujtojmë vitet e 80-ta kur duhej që Kosova të caktojë përfaqësuesin e saj në kryesinë e Federatës Jugosllave, dhe ende pa cirkuluar asnjë propozim i mundshëm, mediet e Beogradit kishin filluar të shkruanin për arsyet se pse Sinan Hasani nuk mund të jetë përfaqësues i Kosovës, për shkak se është i papërshtatshëm për këtë post. Dhe ishte i menjëhershëm reagimi i Kosovarëve që ne duam ama bash Sinan Hasanin në atë pozitë. Krejt njësoj më kujtohen shkrimet e Beogradit për atë se sa i rrezikshëm është Hashim Thaqi për Sërbinë dhe se si ai duhet të dënohet nga pala serbe. Për Isa Mustafën nuk kemi nevojë të elaborojmë fare meqë ai edhe është shkolluar dhe përgatitur intenzivisht në vitet e 80-ta për të ardhur aty ku është.
4. Pozicionimi ndaj mundësisë për anulimin e marrëveshjeve të gushtit! Është thënë panumër hera, se nuk ka mundësi që të tërheqen këto marrëveshje përshkak të karakterit ndërkombëtarë të tyre. Sikur edhe vetëm pak të besoja në këtë postulat që qeveria bashkë me portparolët e saj nga mediat na kanë servuar në vazhdimësi, me siguri që do isha distancuar nga veprimet e kolegëve të mi të opozitës. Në vend të përpjekjeve për tërheqjen e nënshkrimeve do të isha përqëndruar në minimizimin e dëmeve që dalin prej tyre. Por ja që besoj fuqishëm se marrëveshjet mund të tërhiqen. Së pari marrëveshja për asociacionin mund të jetë gjithçka tjetër përpos marrëveshje ndërkombëtare. Së dyti ka edhe marrëveshje shumë më me peshë prej të cilave shtetet janë tërhequr. Madje kemi edhe vende që janë tërhequr prej marrëveshjes për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Shqipëria është tërhequr nga pakti i Varshavës në kohën më të tmershme të luftës së ftohtë. Poashtu besoj që në rast të vendosmërisë së qytetarëve, vetë Serbia do tregohet e gatshme të heq dorë nga asociacioni (meqë Mustafa e Thaqi i frigohen pamasë reagimit të Serbisë). Është fakt që Asociacioni është shumë me rëndësi për Serbinë. Por mendoj se për qeverinë e Serbisë shumë më me rëndësi është të mbajnë ende Thaqin e Mustafën në pushtet. Nëse do të duhen të zgjedhin mes Asociacionit dhe dyshes qeverisëse Thaqi/Mustafa, jam i bindur se do ta zgjedhnin të dytën. Këtë Beogradi veç e ka dëshmuar gjatë largimit të Jabllanoviqit. E kanë sakrifikuar atë nga frika se do të mund të humbin Thaqin e Mustafën.
Tash nëse nisemi nga elementi i parë i kësaj kornize, unë kam ardhur në përfundim, ngjajshëm me shumë kolegë të mi opozitarë se ndalimi i këtyre marrëveshje është obligimi im kryesor. Madje aq i rëndësishëm dhe vital, saqë unë nuk mund të mendoj për komfortin personal, mbi ate se si do shihen veprimet e mia jashtë, se si do reflektohet kjo në votat e mia gjatë zgjedhjeve eventuale në të ardhmen, se si ndikojë kjo në statusin personal timin (i burgosur apo jo). Është betimi im prej deputeti i cili më obligon që në çdo rrethanë të mbrojë integritetin e shtetit. Gjithçka tjetër do kishte qenë tradhëti. Me këtë dua të them edhe se çdo veprim që shtyn përpara këto marrëveshje apo mundohet të kamuflojë ato është i njejtë me tradhëti. Nëse ne si deputetë të opozitës të kishim bërë këtë rezistencë me qëllim të marrjes së pushtetit atëherë kjo rezistencë do kish filluar shumë më herët. Meqë të paktën katër herë më parë kjo qeveri kishte krijuar rrerthana për veprime të fuqishme opozitare. Nëse lufta për pushtet të kish qenë synimi primar, atëherë momenti i parë do kish qenë menjëherë pas tradhtisë së Isa Mustafës ndaj VLAN-it. Kjo meqë në atë moment subjektet tash opozitare faktikisht kanë qenë në pushtet, dhe ka qenë kjo tradhëti që i ka nxjerrë në opozitë. Momenti i dytë ka qenë sjellja në parlament e buxhetit për vitin 2015 pa ndryshuar asnjë pikë, që në fakt ka nxjerrë në pah gjithë plogështinë e këtij koalicioni. Momenti i tretë ka qenë loja e paturpshme e Isa Mustafës, Blerand Stavilecit dhe disa deputetëve të LDK-së me Trepçën ku brenda ditës ka ndryshuar qëndrimet nga një ekstrem në tjetrin. Dhe momenti i katërt ka qenë rikthimi në parlament i votimit për gjykatën speciale, përkundër votimit kundër nga ana e deputetëve, me çka qeveria në fakt u ka thanë deputetëve se do votohet aq gjatë deri sa të thyhen zërat kundërshtues brenda koalicionit. Fati i mirë i qeverisë që këta pak zëra kundërshtues u thyen shumë shpejt. Sado të dëmshme këto momente, asnjëri prej tyre nuk e shëndërron Kosovën në shtet disfunksional, dhe asnjëri nuk e rrudhë teritorin e vendit. Andaj edhe opozita nuk ka bllokuar institucionet. Me marrëveshjet e gushtit është tejkaluar shumë rëndë vija e kuqe.
Nëse nisemi nga elementet dy dhe tre të kësaj kornize, bëhet e kjartë se ky parmanet nuk disponon me alternativa normale për tejkalim të krizës. Kjo meqë mungon substanca kritike e deputetëve që vendosin me kokë të vetë, por detyrohen nga liderët e tyre, të cilët fatkeqësisht nuk janë liderë të Kosovës, por të një punëdhënësi tjetër.
Andaj rrjedhimisht, secila metodë që përdorë opozita, sado e vrazhdë që të duket është shumëfish më pak e dëmshme se marrëveshjet e nënshkruara. Jeta e asnjërit prej qytetarëve nuk do të ndikohet negativisht nga gazi lotsjellës që ne deputetët e opozitës kemi hedhur në sallë. Paradoksi qëndron në atë se ky gaz lotsjellës nëse arrinë të pengojë marrëveshjet e gushtit, do të përmirësonte jetët e secilit prej nesh, përjashto këtu vetëm deputetët të cilët po persekutohen për këtë. Të jeni të bindur se secili prej nesh do të donte që të përmbyllte mandatin e deputetit me shumë më tepër komfort e jo me gaz lotsjellës. Asnjëri prej nesh nuk kënaqet kur policët e instrumentalizuar të Veselit na fusin duart nëpër trup duke na kontrolluar si kriminelë. Secili prej nesh më me qejf do të ishim nëpër konferenca e takime se sa në qeli të burgut duke u malltretuar nga hetusit e SHIK-ut. Por ja që se kemi luksin të zgjedhim siç po e kanë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Listës Srpska.
Është përsëritur disa herë se sado e vështirë situata palët duhet të negociojnë. Idea e negociimit do të duhej të ishte gjetja e një zgjidhje të ndërmjetme. Të negociosh me Mustafën, Thaqin e Veselin në këtë situatë nuk nënkupton gjetjen e kompromisit për funksionimin e kuvendit. Ne do të duhej të gjenim kompromis për shkallën e pranueshme të mosfunksionimit të shtetit dhe për atë se sa territor do të ishte e pranueshme për ne që t’i japim Malit të Zi. Për të arritur komoditetin personal ne do të duhej të fusim në kombinim funksionalitetin e shtetit, madhësinë e territorit dhe kualitetin e jetës së gjeneratave që vijnë. Unë sinqersiht nuk besoj se komodotiteti im personal dhe i kolegëve të mi, vlen kaq shumë.
Dhe krejt në fund. Jam pyetur shpesh se a po frigohem dhe si po ndihem kur po hidhet gazi lotsjellës. Përgjigja është kjo. Nga gazi lotsjeëls po ndihem shumë keq se po më bllokon frymarrjen menjëherë dhe sytë po më djegin shumë. Dhe po. Normalisht që po frigohem. Së pari po frikohem individualisht meqë jam i bindur se Mustafa, Thaqi e Veseli janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tyre. Por më së shumti po frigohem kur shoh deputetët e pozitës që po shijonë dhunën e ushtruar ndaj kolegëve të tyre të opozitës, meqë e di se të njejtit do marrin edhe shumë vendime të dëmshme për vendin, nëse u lejohet një gjë e tillë.