Në një ceremoni të veçantë, Universiteti “Kadri Zeka” ka shënuar 3-vjetorin e themelimit. Pos përfaqësuesve të Universitetit, në këtë ngjarje ka marrë pjesë kryetari Lutfi Haziri, ministra, deputetë, e përfaqësues të tjerë të institucioneve.
Rektori Bajram Kosumi, ka thënë se studentët dhe cilësia e studimit në UKZ është i vetmi motiv, i vetmi qëllim dhe e vemtja arsye arsye pse jemi këtu, duke shtuar se universiteti është dera e një shoqërie.
Ai tha se trekëndëshi i krijuar Universiteti, qeveria komunale dhe qeveria qendrore dhe bizneset, paraqet skemën e partnerëve dhe hisedarëve kryesor në Universitetin “Kadri Zeka”.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se është i nderuar që deri tani ka bashkëpunuar me 3 rektorë të këtij universiteti në programet e përbashkëta në interes të zhvillimit të shkollimit superior.
“3-vjetori i Universitetit “Kadri Zeka” është numër i vogël, por jashtëzakonisht simbolik për rritjen e këtij institucioni të dijes. Si kryetar i Gjilanit kam qenë i nderuar që kam punuar me 3 rektorë, për çka i falënderoj për bashkëpunimin dhe për programet e përbashkëta për interes të zhvillimit të shkollimit superior, jo vetëm për Gjilan, por edhe për Anamoravë në përgjithësi. Ky Universitet mbulon së paku gjysmë milionë banorë në juglindje të Kosovës që përfshinë edhe shqiptarët e Kosovës Lindore, Kumanoca, Karadaku i Shkupit dhe gjithë ai territor që është i lidhur ngushtë me Gjilanin. Arsimi mund të mbetet kërthiza e zhvillimit të regjionit tonë”, u shpreh Haziri.
I pari i Gjilanit ka paralajmëruar se në qershor pritet të nis ndërtimi i kampusit të shkollave të mesme, duke shtuar se është i domosdoshëm edhe vendimi për të filluar planaifikimin për ndërtimin e kampusit universitar.
“Programet e UKZ janë interes i studentëve, i familjeve dhe është i hapur për të gjithë pavarësisht nga vijnë dhe jam i bindur që do të jetë konkurrues edhe me Universitetet ndërkombëtare të regjionit. Në qershor do të fillojmë ndërtimin e kampusit të shkollave të mesme dhe objekti i universitetit është në territorin e shkollave të mesme. Prandaj, është i domosdoshëm vendimi për të filluar planifikimin për ndërtimin e kampusit universitar, që është shumë i domosdoshëm. Suksese”, ka deklaruar kryetari Haziri.
Universiteti “Kadri Zeka” ka katër fakultete, shtatë programe studimi me rreth 5 mijë studentë, derisa në qershor të këtij viti diplomojnë studentët e parë. /2L ONLINE/