Vapë e madhe në Azi, disa shtete po regjistrojnë temperatura rekorde

Rekorde temperaturash po regjistrohen në disa shtete të Azisë, përderisa një valë brutale e vapës në prill ka përfshirë një pjesë të madhe të kontinentit.

Në Azinë Juglindore, disa shtete i regjistruan temperaturat më të lartë ndonjëherë këtë javë, ndërsa nga vapa në Indi kanë vdekur disa njerëz, raporton televizioni CNN.

Laosi është shteti i fundit që regjistroi temperaturë rekorde të të gjitha kohërave, 42,7 gradë, sipas historianit të motit, Maximiliano Herrera.

Gjatë fundjavës, temperatura në Tajlandë shkoi në 45 gradë për herë të parë në histori, sipas Herreras, duke i shfrytëzuar të dhënat e Departamentit Tajlandez të Meteorologjisë. Në qytetin veriperëndimor, Tak, temperatura të shtunën shkoi në 45,4 gradë, ndërsa një pjesë e madhe e vendit ka qenë nën temperatura mbi 30 gradë që nga fundi i marsit.

Më herët këtë muaj, autoritetet tajlandeze lëshuan një paralajmërim për shëndet në disa provinca, pasi u parashikua indeksi i vapës prej 50,2 gradësh në distriktin Bang Na të kryeqytetit Bangkok. Indeksi i vapës është temperatura që duket sikur ekziston dhe i merr parasysh edhe temperaturën e ajrit dhe lagështinë për ta matur ndikimin.

Të martën, kryeministri tajlandez, Prayut Chan-o-cha, shprehu shqetësim për “temperatura të larta në nivel të rrezikshëm në pjesë të ndryshme të Tajlandës” dhe tha se në zonën Bang Na të Bangkokut, temperatura “mund të arrijë në 52,3 gradë”, sipas një deklarate të zyrës së kryeministrit.

Birmania fqinje të hënën regjistroi temperaturë rekorde për muajin prill. Në rajonin qendror, Sagaing, temperatura arriti në 44 gradë, sipas Herreras.

Prilli dhe maji janë zakonisht muajt më të ngrohtë të vitit në Azinë Jugore dhe Juglindore, sepse temperaturat rriten para fillimit të periudhës së reshjeve. /Nacionale/