Vazhdojnë akuzat për blerjen e vendit në Kombëtare

Vetëm një ditë pas deklaratës shumë të fortë të trajnerit të kombëtares Gianni De Biasi, se në Evropianin e Francës do shkojë ai futbollist që e meriton dhe jo ai që paguan, ka ardhur një tjetër deklaratë e fortë, që ka të bëjë sërish me ekipet kombëtare, por këtë herë atë të moshave.

Deklarata bëhet pikërisht nga drejtori teknik i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri, i cili ka mbetur i shokuar nga fakti që në Gjeorgji me kombëtaren U-19 nuk ka shkuar asnjë futbollist i kësaj Akademie, ndonëse bëhet fjalë për lojtarë vërtetë të talentuar dhe arsyeja sipas tij është “ata janë të varfër”.

“Kemi mbetur vërtetë të zhgënjyer nga lista përfundimtare që trajneri i kombëtares U-19 Arjan Bellai ka shpallur për futbollistët që do të marrë me vete në ndeshjet eliminatore që do të zhvillohen në Gjeorgji.

Në 18 futbollistët që ai ka marrë me vete, nuk ka asnjë futbollistë të Vllaznisë (Hebaj nuk është pjesë e saj më nga që ka firmosur me Rijekën në Kroaci). Ndonëse kanë qenë të grumbulluar Fangaj dhe Rajçeviq, ata nuk janë preferuar të merren në Tbilis, sepse prindërit e tyre nuk kanë X5-a apo Q7-ta.

Trajneri Bellai nuk merr as portierin Sherri për të cilin thotë se nuk e njoh, ndonëse ka luajtur edhe tre ndeshjen me U-21 dhe po ashtu ka luajtur shumë ndeshje si titullar me ekipin e parë të Vllaznisë!

Por është e kollajtë sepse në vend të tyre merr futbollistë si Pula që është rezervë tek Partizani, merr futbollistë si Tola edhe ky rezervë tek Partizani. Merret një futbollist i ekipit privat Internacional, që shokët e ekipit me të qeshur e quajnë Marko (Van Basten) Cema, që nuk ka lidhje me futbollin, merret Aris Lalaj që luan me ekipin e dytë të Dinamos, shkruan shkodrasport.com.

Natyrisht që i marrin këta futbollistë sepse i kanë prindërit të fortë dhe me miq të fortë, ndërsa këta futbollistët e Vllaznisë, që vijnë nga fshati me ëndërrën për të qenë pjesë e ekipeve kombëtare, nuk mund ta realizojnë këtë ëndërr dhe ky është një skandal i madh”.

Fjalët e tij janë shumë të rënda, por Neziri para se t’i bëjë publike në media këto akuza,

mësohet se ka sinjalizuar edhe vetë presidentin e FSHF-së, Armando Duka.

“Kam lajmëruar edhe presidentin për këtë që po ndodh dhe nuk është hera e parë që veprohet kështu. Në ekipet kombëtare duhet të shkojnë futbollistë që e meritojnë dhe jo ata që paguajnë.

Unë dhe klubi Vllaznia presim reagimin e zotit Duka dhe të instancave të tjera, sepse nuk po kërkojmë asgjë më shumë por drejtësi për këta futbollistë që duan të luajnë dhe t’u jepet mundësia të tregojnë vlerat e tyre të vërteta duke i shërbyer edhe fanellës kuqezi”,- ka thënë në fund të prononcimit të tij drejtori teknik i Akademisë Vllaznia, Alban Neziri.