Vdes Samuel R.Berger, njeriu që këshillonte Clintonin për bombardimin e Millosheviqit

Ish –Këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit të SHBA’ve Bill Clinton, Sandy Berger, i cili në vitin 1999, ka luajtur rol kritik në sulmet ajrore kundër Jugosllavisë, që Perëndimi i nisi për shkak të masakrave të forcave serbe në Kosovë, ka vdekur në moshën 70 vjeçare. Ai po vuante nga kanceri, shkruan Gazeta Express.

New York Times, Bergerin e përshkruan si këshilltar të sigurisë që ndihmoi periudhën e tranzicionit në politikën e jashtme amerikane, shkruan Gazeta Express.

Në një reagim në Twitter, Clinton e ka përshkruar Bergerin si “mikun e tij të mrekullueshëm dhe më të mençur”.

“Askush nuk ka qenë më i ditur për politikën dhe më i mençur se ai për ta formuluar atë” ka thënë Clinton në një deklaratë që e ka bërë edhe në emër të bashkëshortes së tij Hillary Clinton.

New York Times shkruan se Berger ka luajtur rol kritik në strategjinë për përdorimin e fuqisë amerikane dhe sulmeve ajrore për përfundimin e luftës kundër  Presidentit të Jugosllavisë Sllobodan Milloshevic.

Ndërkohë në reagimin e tij Presidenti i SHBA’ve Barack Obama ka thënë se ai personalisht ka përfituar nga këshillat e Berger duke thënë se ai ishte një nga liderët më të mirë të kombit për çështje të sigurisë kombëtare.

Për vdekjen e Sandy Berger kanë shprehur ngushëllime edhe ish- Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright dhe Sekretari Aktual i Shtetit John Kerry./Gazeta Express