Vëllai i Komandant Sokolit: Gënjeshtër është se kam organizuar grup të armatosur në Tanushë

Xhafer Ukshini, vëllai i Sami Ukshinit- Komandant Sokolit, ka dhënë një deklaratë ekskluzive për “Lajm”, ku flet për informacionet e paraqitura në disa mediume proqeveritare maqedonase, ku përmendet si gjoja organizator i një grupi prej 40 personave të armatosur, që dëshirojnë të kryejnë “sulme terroriste” në Maqedoni.

Xhafer Ukshini i quan këto informacione spekulime të kulluara.

“Jam në shtëpinë time në Gjakovë. Këto janë spekulime”, thotë Ukshini.

Sipas tij, prapavija e këtyre informacioneve ka të bëjë me situatën politike në Maqedoni dhe frikën e partive qeveritare se mund të humbin pushtetin.

“Këto janë lojna të politikës e cila është e demaskuar dhe bën lojëra të ndryshme për të mbetur në pushtet. Janë lojëra të shërbimeve të partive në pushtet, që bëjnë kësi lloj lojërash për të mbetur në pushtet. Qëllimi i këtyre spekulimeve është të frikohet popullata që të mos del në protesta, duke krijuar ndjenjën se gjoja Maqedonisë i kanoset ndonjë rrezik. E kanë qëllimin dhe hallin se si t’i ikin drejtësisë për veprat që i kanë bërë”, thotë Xhafer Ukshini për “Lajm”.

Ai paralajmëron se këto lloj spekulimesh mund të reflektohen negativisht edhe për gjendjen e të arrestuarve në Kumanovë.

“Është hera e dytë a e tretë që bëhen kësi lloj spekulime, e që mund të rrezikojnë gjendjen e grupit të Kumanovës”, thekson Ukshini, duke hedhur poshtë edhe njëherë informacionet se gjoja bashkë me 40 persona tjerë të armatosur gjendet në brezin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë.