Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se vendimi i Kushtetueses për pezullimin e përkohshëm për Asociacionin, nuk e vë në pikëpyetje dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes shteteve.
Këto komente Mustafa i bëri në mbledhjen e Qeverisë, ku u miratuan një mori draft konceptesh që kishin të bënin me disa fusha.
Kryeministri Mustafa foli edhe për Raportin e Progresit, raport ky që sipas Mustafës e vë në pah progresin e arritur në Kosovë. Ky raport, vlerëson siç tha Mustafa vendimet e mëdha që janë marrë lidhur me themelimin e Dhomave të Veçanta dhe progresin e arritur në dialogun me Serbinë.
Mustafa tha se do të adresohen të gjitha vërejtjet që janë dhënë nga ky raport. Ai shtoi se edhe pse nuk u anëtarësua Kosova në UNESCO, Kosova ka arritur të ketë përkrahjen e 92 shteteve dhe ky është një impuls që pas 2 viteve, Kosova të mos merr 95 vota por të synoj për më shumë.
Mustafa lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të pezulluar përkohësisht marrëveshjen për Asociacionin, tha se ky vendim nuk e vë në pikëpyetje dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve.
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Hashim Thaçi foli në këtë mbledhje të Qeverisë për UNESCO-në dhe mos pranimin e Kosovës në këtë organizatë, duke thënë se mos pranimi i Kosovës nuk minimizon të arriturat që janë bërë në vend, të cilat sipas tij janë evidentuar edhe në Raportin e Progresit. Sipas tij gjuha e përdorur nga shteti serb por edhe nga kisha është agresive, luftënxitëse dhe në kufi me racizmin.
Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka paraqitur propozimin për amendamentimin e Kushtetutës lidhur me Këshillin Gjyqësor.
Qeveria po ashtu ka marrë vendim për t’i propozuar Kuvendit emërimin e anëtarëve të Organit Shqyrtues të prokurimit. Emrat e propozuar janë Agim Shala dhe Vjosa Shala- Kurtishaj. Qeveria ka marr vendim për t’i propozuar Kuvendit Arsim Janovën, Qemajl Mustafën dhe Besim Sefiajn për anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Po ashtu, në këtë mbledhje zëvendëskryeministri Thaçi njoftoi për nismën Fondi për Ballkanin Perëndimor, ide kjo nga ish-komisionari për zgjerim, Shtefan Fyle nismë kjo që për qëllim ka nxitjen e bashkëpunimit në mes të gjashtë vendeve të rajonit, Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Serbia dhe Maqedonia. Selia e këtij fondi do të jetë në Shqipëri, përkatësisht në Tiranë. Thaçi me këtë rast kërkoi nga Qeveria të dërgoj për miratim në Kuvend këtë marrëveshje. /KosovaPress/