Vendimi i Lutfi Hazirit që Favorizon Biznesmenin e Burgosur

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ndryshoi kontratën me një kompani private ende pa u bërë dy muaj nga nënshkrimi i saj. Auditori i Përgjithshëm konkludon se nga ky veprim komuna rrezikon të dëmtohet në vlerë prej 168 mijë eurosh. Përveç kësaj, biznesmeni Fitim Haziri të cilit iu bë ky favor, aktualisht gjendet në burg dhe është i njohur për organet gjyqësore. Ka kryer më herët edhe tri vepra penale.

Lutfi Hazirit, kryetarit të Gjilanit, në verën e këtij viti iu kërkua nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm që të iniciojë hetime dhe të marrë masa ligjore lidhur me ndryshimin e kontratës së lidhur mes komunës e firmës “S.O Bezi” për shfrytëzimin e parkingjeve komunale.

Auditori ka konkluduar se janë bërë shkelje ligjore që kanë dëmtuar buxhetin komunal.

“Ndryshimi i çmimit të kontratës publike fillestare me aneks-kontratë duhet të rishqyrtohet dhe rastet e tilla nuk duhet të përsëriten,” është rekomandimi që i është bërë kryetarit Haziri.

Mirëpo autoritetet komunale të Gjilanit nuk kanë lëvizur në këtë drejtim. Edhe gjashtë muaj pas këtij rekomandimi e mbrojnë vendimin për ndryshimin e kontratës me firmën private.

Por ishte vetë Haziri ai i cili ka nënshkruar kontratën me firmën “S.O Bezi”, dhe po ashtu edhe ndryshimin e kontratës me këtë kompani në pronësi të Fitim Hazirit.

Kjo kompani kishte fituar ankandin publik pasi që kishte ofruar 54 mijë e 120 euro për marrjen në shfrytëzim të parkingjeve komunale në hapësirë prej 6 mijë e 600 metrave katrorë.

Kontrata është nënshkruar për një periudhë pesëvjeçare më 1 gusht 2014.

Por me ndryshimin e kontratës, kjo kompani do të paguajë vetëm 20 mijë e 520 euro në vit për shfrytëzimin e parkingjeve.

Ndryshimi i kontratës u bë më 18 shtator të vitit 2014 ende pa u bërë dy muaj nga nënshkrimi i saj.
Shtatë konkurrentët tjerë në garë patën ofruar shumë më të madhe se 20 mijë e 520 euro.

Ofertat kapnin vlerat e 29 mijë, 30 mijë, 39 mijë, 42 mijë, 49 mijë, 52 mijë dhe 53 mijë euro.

Secila prej tyre peshonte më pak se sa që kishte ofruar firma e Fitim Hazirit por secila prej tyre peshon më shumë se sa që aktualisht firma e Hazirit i paguan autoriteteve komunale.

Raporti i auditorit thotë se ndryshimi i çmimit është në kundërshtim me nenin 4 dhe 5 të Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim të Pronës së Paluajtshme Komunale.

Neni 4 përcakton parimet e dhënies në shfrytëzim që përfshijnë ligjshmërinë, trajtimin e barabartë të palëve, transparencën, ruajtjen e interesit publik, si dhe ruajtjen e vlerës së pronës komunale.

Neni 5 obligon procedurën e hapur të ankandit publik dhe respektimin e procedurave të këtij ligji.
Auditorët konkluduan se vetëm për vitin 2014 komuna ka shënuar humbje në vlerë prej 33 mijë e 600 eurosh për shkak të ndryshimit të kontratës me firmën “S.O Bezi”.

“Ndërsa për periudhën 5 vjeçare potencialisht humbja mund të jetë 168,000€,” thuhet në raportin e auditimit.

Auditorët këtë veprim të autoriteteve komunale e kanë vlerësuar si të rrezikshëm.

“Ekziston rrezik i vazhdueshëm që raste të tilla përçojnë mesazhe të gabuara në publik dhe që të krijohen precedent  ku  operatorët  kërkojnë  ndryshim  të  kushteve esenciale dhe inkurajojnë operatorët të mos kryejnë obligimet financiare ndaj komunës,” thuhet në raportin e auditorit.

Përveç konludimeve të ZAP-it se janë bërë veprime të kundërligjshme gjatë kontraktimit të kësaj kompanie, Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar edhe detaje tjera që shpërfaqin të kaluarën e biznesmenit që është partner i komunës në këtë projekt.

Po ashtu ky aktivitet tenderues është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale.

“Ju informoj se rasti për të cilin keni pyetur është pranuar nga prokurori i çështjes në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës më 6 nëntor 2015 dhe tani prokurori është duke e shqyrtuar kallëzimin penal,” deklaroi Liridona Kozmaqi, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale.

Kërkesë për hetim në Prokurorinë Speciale dorëzoi dega e PDK-së në Gjilan më 22 tetor të këtij viti.
Lënda titullohej “Kërkesë për Hetime të Rastit ndaj Lutfi Hazirit, Kryetar i Gjilanit”.

Aty kërkohej që të ndërmerren hetime lidhur me shkeljet e pretenduara gjatë kontraktimit të kësaj kompanie si dhe ndryshimin e paligjshëm të kontratës vetëm një muaj e gjysmë pas kontratës.

Kontraktori i komunës gjendet në burg

Fitim Haziri që nga dy nëntori i këtij viti gjendet në burg. Ai do të vuajë dënimin për një vepër penale të kryer më 16 nëntor të vitit 2012.

Haziri, bazuar në të dhënat e siguruara nga Gjykata Themelore e Gjilanit, ishte përleshur me A.R të pandehurin tjetër në këtë lëndë gjyqësore.

I kishin shkaktuar njëri-tjetrit lëndime të lehta trupore. Ishin dënuar me nga tetë muaj burg, por Gjykata e Apelit më 2015 vendosi të ulë dënimin në vetëm tre muaj.

Apeli e llogariti edhe kohën e kaluar në paraburgim nga 18 nëntori deri më 14 shkurt të vitit 2012. Në qershor të dënuarit Haziri iu aprovua kërkesa që të shtyhet për tre muaj shkuarja në burg.

Por pas tre muajve Gjykata Themelore u detyrua të lëshojë urdhëresë që Haziri të shkojë në vuajtje të dënimit.

Haziri tek më 2 nëntor të këtij viti shkoi në vuajtje të dënimit përkundër se kishte kërkuar shtyrje tremujore nga muaji qershor deri në muajin shtator. Haziri, bazuar në të dhënat e Gjykatës Themelore të Gjilanit, ka kryer edhe më herët vepra penale.

Në vitin 2005 ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”. Kjo lëndë është parashkruar.

Në vitin 2007 ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”. Është dënuar me gjobë në vlerë prej 250 eurosh.

Po ashtu edhe në vitin 204 ka kryer veprën penale “kanosje” dhe është dënuar me gjobë prej 150 eurosh.

Komuna e Gjilanit nuk dha përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë se a e ka verifikuar të kaluarën e Hazirit para se të nënshkruajë me të kontratë publike. Pyetjet u dërguan edhe në e-mailin zyrtar të kryetarit Lutfi Haziri.

Për shkak se Fitim Haziri gjendet në burg, Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi prindin e tij Qefser Hazirin që merret me punët e kompanisë.

“Nuk e kam djalin kësajde dhe nuk mundet askush me fol pa u kthy ai,” ka thënë Qefser Haziri kur i është kërkuar të komentojë lidhur me veprimet e Komunës së Gjilanit dhe gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm.
“Të paragjykuara dhe të ngutshme”

Por Komuna e Gjilanit dha përgjigje në pyetjet që kanë të bëjnë me të gjeturat e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Konkludimet e auditorëve i cilëson si “të paragjykuara dhe të ngutshme”. Autoritetet komunale në Gjilan arsyetojnë vendimin për ndryshimin e kontratës. Përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë dha Zyra për Informim e Komunës që e mbajti të informuar edhe kryetarin Lutfi Haziri kur i dërgoi ato nëpërmjet e-mailit.

Zyra për Media potencoi se ndryshimi është në harmoni me kontratën e lidhur mes palëve dhe se është në pajtueshmëri me nenet 4 dhe 5 të Ligjit për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme Komunale.

Në përgjigjet e Komunës së Gjilanit thuhet se neni 12 i kontratës thekson decidivisht se “Çdo gjë që nuk është paraparë sipas kësaj kontrate, do të zbatohen dispozitat e Ligjit nr. 04/L- 144 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, Rregullores nr. 23/2013 për Përcaktimin e Procedurave të Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës dhe rregullat e përgjithshme të së drejtës kontraktore”.

Komuna thotë se pas lidhjes së kontratës dhe fillimit të zbatimit të saj, janë krijuar rrethana që kanë vështirësuar përmbushjen e detyrimit të njërës palë për qiramarrësin.

“…ka rezultuar se në një numër të caktuar të hapësirave publike të destinuara për parkingje, qytetarët me të dëgjuar se shfrytëzimi i tyre është me pagesë, nuk kanë hyrë fare në to,” thuhet në përgjigjën e Zyrës Ligjore të Komunës së Gjilanit.

Po ashtu, sipas kësaj përgjigjeje, një pjesë tjetër e hapësirave nuk ka mundur të shfrytëzohet në mënyrë normale për shkak të parkimit të automjeteve private para bizneseve të tyre.

Komuna komentoi edhe konkludimin e auditorit se ndryshimi i kontratës përbën rrezik për shkak të krijimit të precedentit.

Komuna thotë se auditori flet me paragjykime për rastin në fjalë dhe ligji dhe rregullat janë respektuar në përpikëri.

“Në asnjë mënyrë nuk kemi të bëjmë me moszbatim të legjislacionit për pasuritë komunale që kishte me rezultuar me trajtim jo të barabartë të operatorëve, mostransparencë dhe dëmtim të interesit publik, përkundrazi kemi respektim të vullnetit të palëve siç është përcaktuar me kontratë,” thuhet në përgjigjen e komunës.

Auditori, sipas komunës, ngutet edhe kur kalkulon në shifra se sa është dëmtuar buxheti.

“Vlerësimi i rrezikut nuk mund të bëhet duke kalkuluar me shifra të vlerave, sepse vlera është koncept relativ,” thuhet në përgjigjen e komunës.