Veseli vë gurthemelin e ujësjellësit në Skenderaj

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e fillimit të punimeve të projektit të ujësjellësit në Skenderaj, që do të përmirësojë nivelin e jetës së banorëve të 12 fshatrave të kësaj komune.

Në ceremoninë e vënies së gurthemelit, kryekuvendari Veseli theksoi rëndësinë e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të kësaj ane.

Ai më këtë rast falënderoi donatorët, institucionet dhe punëkryesin, që kjo pjesë e Drenicës, 12 fshatra të saj, do të kenë furnizim të qëndrueshëm të ujit të pijes. Ky projekt, shtoi kryetari Veseli, ka rëndësi për banorët e Drenicës, ngase uji i pijes ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës së qytetarëve të kësaj ane, të cilët dhanë kontribut të çmuar në historinë e re të Kosovës.

“Drenica nuk do të jetë vetëm vend i monumenteve të krenarisë sonë kombëtare, por edhe pjesë e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Veseli po ashtu, vuri në dukje se investimet kapitale do të vazhdojnë edhe në projektet tjera në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe veprimtaritë prodhuese që gjenerojnë vende të reja të punës.

Në këtë solemnitet të vënies së gurthemelit të ujësjellësit, morën pjesë drejtuesit e komunës së Skenderajt, të prirë nga nënkryetari Fadil Nura, ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, Krystyna Lang,ministri Ferid Agani dhe zëvendësministri Gani Koci.

Projekti i ujësjellësit ka vlerë 1.137.700 euro, është financuar nga SCO-Qeveria zvicerane dhe Qeveria e Kosovës, ndërsa implementohet nga Dorsch-CDI, N.N. Diamanti. Projekti parasheh ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm me gypa 115 km gjatësi, ndërtimin e rezervuarëve dhe stacionin e pompimit në Klinë të Mesme. /veriu/