Vetëm 3 programe studimi u riakredituan nga 236 që u skadon afati në qershor

Nga mbi dyqind programe studimore që është dashur të riakreditoheshin sivjet, deri tashti këtë procedurë kanë arritur ta kalojnë vetëm 3 prej tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Janë afro 236 programe studimi që kanë funksionuar deri tani nëpër Institucionet e Arsimit të Lartë publik (IAL) dhe privat në Kosovë, të cilave u skadon afati i akreditimit në këtë vit akademik, që përfundon më 30 shtator.

Ato duhet të riakreditohen në rast se duan të regjistrojnë studentë të rinj edhe në vitin e ardhshëm akademik, por rezulton se deri tani disa nga to ende as nuk kanë aplikuar për riakreditim.

Ndërsa një numër shumë i vogël i atyre që kanë aplikuar deri tash, kanë përmbushur kriterin për të nisur procedurat për riakreditim.

Blerim Rexha, kryetar i Këshillit Kombëtar për Cilësi (KSHC) në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA), ka konfirmuar për “Kohën Ditore” se nga 236 programe studimore që u skadon afati i akreditimit në qershor, një numër shumë i vogël i tyre i plotësojnë kriteret edhe sa për të nisur procedurën për t’iu nënshtruar vetë procesit të akreditimit.