Vetëvendosje: E sulmuam Abrashin sepse na krahasoi me ISIS-in –

Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë arsyet e tyre se përse gjatë ditës së sotme e gjuajtën me ngjyrë makinën e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherësh zëdhënësit të Qeverisë, Arban Abrashit.
 Ky ministër, sipas tyre,  para disa ditësh e ka krahasuar forcën më të madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës me terroristët e ISIS, raporton lajmi.net.

“Abrashi është një abuzues dhe ofendues, i cili ka etiketuar rëndë opozitën e vendit të tij, duke përdorur fjalë të njëjta me Serbinë. Sipas Abrashit, aktivistët që përdorin ngjyrë e vezë për të protestuar janë terroristë. Ndërkohë kolegët qeveritarë e partiakë të Abrashit mbajnë nëpër shtëpi e nëpër makinat e tyre arsenale armësh pa leje, dhe i përdorin këto armë për të shantazhuar qytetarët e policët, dhe për të mbrojtur aferat e tyre korruptive, për të cilat as nuk mundohen që t’i fshehin”, thuhet në njoftimin e tyre.

Përveç kësaj, ky subjekt politik thotë se Abrashi është një prej mbrojtësve më të zellshëm të “Zajednicës” dhe të marrëveshjeve qeveritare me Beogradin, të cilat po ndajnë e po dëmtojnë rëndë Kosovën.

“Qeveria e Kosovës dhe zyrtarët e saj nuk do të mund të kenë rehati pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistit të arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë realizimit të këtij aktiviteti”, kanë shtuar ata më tej.

VV thotë se aktivistët e tyre nuk do të ndalen, dhe Zajednica sipas tyre nuk do të kalojë./lajmi.net.