Vizitat e dështuara të Lumir Abdixhikut dhe Memli Krasniqit në Amerikë!

Dy nga udhëheqësit e opozitës,  Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi kanë filluar vizitat në Amerikë. Qëllimisht nuk po i klasifikoj si “liderë” opozitarë ngaqë asnjëri prej tyre nuk e ka të sigurt karrigen e të parit të partisë. Dhe, mbase këto vizita më tepër iu kanë shërbyer për të forcuar pozicionet e tyre në parti sesa për të bindur elektoratin se ata janë njerëzit e duhur për të udhëhequr shtetin.

Jo se ata të dy nuk do të mund të ishin, por të paktën deri më tani, në cilëndo temë që është ngritur në Kosovë, e tash së fundmi edhe me çështjen e targave në raport me Serbinë, ata në vend të ofrimit të një zgjidhje konkrete si alternativë opozitare e Qeverisë, kanë zgjedhur që të fotografohen me senatatorë amerikanë për të krijuar një perceptim se janë në koordinim me SHBA-të.

Dhe, taktika se “ne jemi me Amerikën” ndërsa Kurti është “anti-amerikan” opozitës asnjëherë nuk i është shpaguar. Përkundrazi! E ka penalizuar në masë të madhe ngaqë sot kemi votues të cilët prishtimëritë i bazojnë në atë se sa je pro shtetit tënd, se cilat janë kauzat që të bëjnë të dalluar dhe potencialisht e rrisin besueshmërinë në masë. Veçanërisht në rrethana kur edhe Abdixhiku edhe Krasniqi trashëgojnë parti të cilat janë përgjegjëset kryesore jo vetëm për gjendjen në Kosovë me shëndetësi, arsim dhe sistem të drejtësisë pothuajse të shkatërruar, por edhe për pozitat e pafavorshme në të cilat sot ndodhet Kosova në tavolinën e dialogut me Serbinë.

Njëri pinjoll i Isa Mustafës e tjetri pinjoll i Hashim Thaçit, Abdixhiku dhe Krasniqi më shumë shpresat i kanë varur në gabimet e Kurtit sesa në një strategji të mirëfilltë për ta sfiduar atë. Në ndihmë u vijnë edhe sondazhet e porositura partiake të cilat mundohen t’i shpallin të suksesshëm. Por, realiteti është larg kësaj. Shumë larg!

Ata edhe do të mund të kishin sukses, por përballë tyre kanë një lider energjik si Albin Kurti. Ky emër e bën diferencën e thellë në garën midis partive politike në Kosovë. Thjesht, për takatin e Lumirit dhe Memlit, Albin Kurti mbetet i paarritshëm. Sidomos në rrethana kur ai nuk i ka bërë asnjë koncesion Serbisë, e ka rritur buxhetin në 3.2 miliardë dhe mbi të gjitha – nuk korruptohet. Ndërsa Abdixhiku dhe Krasniqi rrethohen kryesisht nga njerëz të cilët korrupsionin dhe interesat e ngushta i kanë ushqim të përditshëm.

Në emër të kësaj më shumë se një herë kanë dëshmuar se janë në gjendje ta shesin edhe Kosovën përmes koncesioneve të dhembshme ndaj Serbisë që ua zgjasnin jetën kastës së vjetër politike dhe ua shtonin pasurinë njerëzve përreth pushtetit. Dhe këtë e dijnë edhe miqtë ndërkombëtarë. E din edhe Amerika! Prandaj, ajo kërkon me ngulm që lojtari kryesor në dialog të jetë njeriu që ka legjitimitetin – Albin Kurti. Të tjerëve iu ka skaduar afati. Janë veç qorbë e provuar.

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë.

Generated by Feedzy