Vlerësimet e VETËVENDOSJE!-s mbi vizitën e John Kerry-t në Kosovë

Vizita e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, John Kerry, ishte vizitë e një zyrtari të nderuar të një vendi aleat për Kosovën, dhe si e tillë respektohet nga spektri politik e qytetar në Kosovë. Orientimi gjeopolitik i Kosovës, në këtë botë e cila funksionon në logjikën e kampeve, është i përcaktuar qartë dhe nuk ka alternativa të tjera.

Një aleancë e çmuar siç është mes dy vendeve tona, sigurisht që kanë nevojë për një investim serioz të dyanshëm. Ndërkohë që nuk jemi në pozitën e shqyrtimit të kësaj marrëdhënie nga ana e SHBA-së, është detyra jonë si subjekt politik i Kosovës, të vëmë nën shqyrtim kritik qasjen e palës kosovare në këtë marrëdhënie.

Qeveria e Kosovës nuk po e përdor përkrahjen dhe respektin e Amerikës për Kosovën, për fitore ndaj Serbisë, por po e keqpërdor atë në funksion të projekteve të Serbisë në Kosovë.

Qeveritarët e Kosovës duhet të kërkojnë prej SHBA-së ndihmë për të ndërtuar një ekonomi prodhuese, një drejtësi funksionale, arsim e shërbime publike cilësore, dhe mbi të gjitha ushtrinë e Kosovës, në mënyrë që partneriteti me SHBA-në të zhvillohet edhe më tej edhe të bëhet edhe ushtarak.

Por një politikë të tillë të jashtme Kosova nuk do ta ketë për sa kohë të qeveriset nga njerëz të cilët për shkak të frikës nga ndëshkimi i korrupsionit duan të mbajnë me çdo kusht veten në pushtet.

Mesazhi i zotit Kerry, sa i përket demokracisë përfaqësuese dhe shenjtërisë të Kuvendit, është shumë i rëndësishëm.
Dëshirojmë të vëmë në dukje se Kuvendi i Kosovës është cënuar dhe është degraduar pikërisht përmes ushtrimit arrogant të pushtetit nga shumica e cila po zhvillon një formë të diktaturës së numrave. Ka qenë kjo shumicë që, në rastin e amandamenteve për Gjykatën Speciale, i ka përsëritur votimet e Kuvendit, duke mos e respektuar vendimin e parë të këtij organi që zoti Kerry e cilëson të shenjtë.

Kjo shumicë arrogante, e mishëruar në pushtetin e Thaçit e Mustafës, ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare të cilat nuk i ka diskutuar më parë në Kuvend, duke anashkaluar kështu parimin kryesor të demokracisë, që është përfshirja e respektimi i opozitës. Thirrjet e sotme të Isa Mustafës për dialog në Kuvend janë hipokrite, pasi janë post-festum. Tërheqja nga matrëveshjet do të nënkuptonte kthim në normalitet të institucioneve. Përndryshe, të thërrasësh për dialog mbi një fakt të kryer, s’është gjë tjetër përveçse një tallje që zoti Mustafa ia bën demokracisë

I bëjmë me dije opinionit publik se kundër këtyre marrëveshjeve qytetarët e Kosovës kanë nënshkruar një peticion me mbi 205 mijë nënshkrime, e megjithatë kjo qeveri nuk e ka marrë parasysh. Një qeveri e cila lidh marrëveshje mbi territorin e vet pa përfshirë opozitën, pa pyetur popullin, pa marrë parasysh peticione, nuk është qeveri demokratike dhe as transparente. Një qeveri e tillë nuk është sipas modelit të SHBA-së. Qeveri të tilla më shumë i ngjajnë modelit të zotit Mubarak në Egjipt, i cili po ashtu i përdorte takimet me zyrtarë të lartë perëndimorë për të fituar legjitimitet, ndërkohë që shtypte opozitën dhe varfëronte popullin.

Vlerësojmë thirrjen e zotit Kerry për gjykimin dhe ndëshkimin e korrupsionit e të krimit të organizuar. Por, në shtetin tonë fatkeqësisht është instaluar një kastë politike e cila njëson pushtetin shtetëror me atë ekonomik e me atë mafioz. Kjo kastë politike jo rrallë ushtron ndikim të fortë mbi institucionet e pavarura, mbi gjykatat madje dhe mbi mediat e mbi shoqërinë civile. Për të çrrënjosur këtë kastë kriminale, ne kemi nevojë edhe për ndihmën e partnerëve si SHBA-ja.

Ne kemi besimin e plotë se SHBA, si edhe vendet e tjera aleate të Kosovës, do të përkrahin forcimin e sovranitetit të Kosovës, si edhe demokratizimin e jetës politike në vend, si dhe do të dënojnë dhunën e papranueshme e përjashtimin që ushtrohet në Kosovë ndaj opozitës aktuale, e cila shumë shpejt do të jetë qeveria e nesërme.

2 dhjetor 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!