Xhabir Zharku i arratisur – merr pjesë në aktivitetet e Qeverisë së Kosovës në Suedi (Foto)

I ikur nga drejtësia e Kosovës, Xhabir Zharku e ka festuar 28 Nëntorin në një manifestim që është organizuar nga Qendra Kulturore Shqiptare e Suedisë, që është pjesë e Ministrisë së Diasporës.

KTV-ja merr vesh se ai është ftuar aty nga udhëheqësit e kësaj organizate qeveritare. Ministria e Diasporës ka thënë se të gjitha aktivitetet janë të hapura për të gjithë bashkë-atdhetarët.

Ditët e viteve në arrati, Xhabir Zharku po i shfrytëzon duke u socializuar maksimalisht me bashkatdhetarët në Suedi.

I dënuar me 3 vjet burgim në Kosovë, i arratisuri Zharku ka marrë pjesë së fundi në një aktivitet qeveritar, transmeton Koha.net. Zharku shihet në këto fotografi në manifestimin për shënimin e festave të nëntorit në Qendrën Kulturore në Suedi në qytetin Halmstadt.

Stema e Qeverisë së Republikës së Kosovës i rri mbi kokë të dënuarit Zharku. Kjo pasi që Qendra Kulturore e Suedisë është organizatë që financohet nga Ministria e Diasporës e Qeverisë së Kosovës. Në fotografitë e manifestimit shihet vazhdimisht edhe Hajdin Abazi, ish-zëvendësministër i Kulturës nga PDK-ja.

Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Diasporës ka thënë se qendrat janë të pavarura në aktivitete dhe se nuk ka selektim se kush mund të hyjë aty.

“Qendrat Kulturore në Diasporë janë të themeluara nga Ministria e Diasporës dhe janë në shfrytëzim edhe nga diaspora shqiptare gjithandej, ku në raste të caktuara bëhen edhe promovime të librave e ekspozita të pavarura në hapësirat e qendrave.

Sipas ligjit, ato funksionojnë duke u bazuar në legjislacionin e vendeve, ku janë të themeluara dhe gjithashtu të gjitha aktivitetet janë të hapura për bashkatdhetarët, por edhe për vendasit, prandaj nuk ka selektim te dera kush guxon e kush nuk guxon të futet në këto aktivitete.”

Megjithatë, KTV-ja merr vesh se ftesa zotit Zharku për pjesëmarrje, ku ishte promovuar edhe një libër, i është bërë nga udhëheqës të qendrës qeveritare.

Ish-kryetarit të Kaçanikut, që është pjesë e PDK-së, Gjykata Supreme ia kishte vërtetuar dënimin me 3 vjet burgim në maj të 2012-ës, kur ai kishte arritur të udhëtonte për në Suedi pa u kapur nga autoritetet vendase. Ai është dënuar me 3 vjet burgim për detyrim dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata në Ferizaj, që e kishte dënuar Zharkun, kishte thënë në vitin 2014 se Ministria e Drejtësisë e kishte informuar se Zharku nuk mund të ekstradohet për shkak se ka shtetësi suedeze.