Xhevat Limani, autori i 2 librave 6 mijë roleve.

Xhevat Limani është aktori, regjisori, dramaturgu dhe shkrimtari nga Struga e Maqedonisë, i cili pas një atentati ndaj tij në vitin 2002, është marrë në mbrojtje nga shteti amerikan dhe tani jeton dhe vepron në Nju Jork. Këto ditë ishte në rrugëtim nëpër qytetet shqiptare, Tiranë, Prishtinë dhe Strugë, për të promovuar dy librat e tij, romanin “Artisti pa Atdhe” dhe dramën “Dodona”. Limani, deri më tani ka luajtur 6 mijë 973 shfaqje, ka realizuar mbi 30 filma dokumentarë dhe është autor i disa librave.

Intervistoi: Vera Pelaj

Radio Kosova: Z. Limani, këto ditë promovuat në Tiranë, Prishtinë dhe Strugë dy librat tuaj, “Artisti pa atdhe” dhe dramën “Dodona”. Kush është artisti pa atdhe?

Xhevat Limani: Libri “Artisti pa Atdhe”, ka elemente biografike. Është shpalimi i fëmijërisë sime deri në ditët e sotme, të cilin e përqëndroj në tri kohë. Në kohën e shkuar, duke shfletuar fëmijërinë time, kujtimet e mia në periudhën e tmerrshme të social – liberalizmit apo komunizmit jugosllav, që ishte kancer për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve. Është koha e tashme, në të cilën unë qëndroj dhe dëshmoj vet botërisht, katërcipërisht dhe shqipërisht për gjërat që i kam përjetuar dhe që i kam parë me sy, jo me të dëgjuar. Jam dëshmitar okular. Koha e tretë është koha e porosisë që duhet t’u përcjellë gjeneratave për atë se çfarë ndodhi. Në strukturën romaneske, jam nisur pak më thellë, që nga tingulli. Truktura e parë fonetiko – gramatikore, për mua është tingulli dhe them se i pari ishte tingulli, për një arsye shumë konkrete. Sepse ne jemi të lindshëm dhe të vdekshëm. Mirëpo, njeriu gjatë kësaj periudhe ballafaqohet me mimesisin e tij fonetik dhe në këtë ngritje fonetike, që nga qiellëzoret, buzoret, dhëmbëzoret dhe zhdërvjelloret, ai tentoi që të rrumbullakëzoi sistemin e të folurit, artikulimin. Për të ardhur deri te fjala, do t’i mësoi tingujt. Mësimi i tingujve që nga A-ja, E-ja, O-ja, I-ja, U-ja, Y-ja, dhe e fundit tinguli i madh i dhimbjes Ë-ja, është një stad që fëmija si individ, kalon një torturë të golgotës për ta fisnikëruar organin foljor. E gjithë struktura fonetike, shpie në stadin e dytë të një strukture tjetër, ta zëmë të strukturës gramatikore për të theksuar emrin, atëherë fëmia rritet, i kupton prindërit etj, dhe rritet edhe më tepër. Pastaj, duhet të shkojë të mësojë alfabetin, mëson fjalët, rrokjet, mendimet, kallëzuesin, kryefjalën, foljet dhe mëson foljet ndihmëtare. E gjithë kjo, në kuptimin semantik, është kapitulli i parë i romanit, që ka të bëjë me ngritjen emocionale e shpirtërore të njeriut, ka të bëjë me identitetin gjuhësor. Identiteti i dytë është kur njeriu kalon fazën e pubertetit, fazën shkollore dhe merr fatin e vet në duart e veta. Kur ai kërkon pavarësinë e vet të shkëputet nga prindërit, jo në kuptimin që të ndahet nga ata, por të shkëputet duke krijuar autonominë e veprimit përmes shkollimit, përmes librave, që e çon tek ngritja e vetëdijës intelektuale. Atëherë, kur ai duhet të vendos të krijojë Tempullin e Shenjt të familjes, vjen shkëputja e parë nga ndjenja atërore fizike. Njeriu këtë dashuri e transporton në dashurinë e tempullit. Atëherë, vjen faza e tretë, që i përket ardhmërisë. Kjo është një ëndërrim, meqë njerëzit janë të lindshëm dhe të vdekshëm, duhet ta arsyetojnë përmbushjen e kohës dhe hapësirës.

Radio Kosova: Po drama “Dodona”?

Xhevat Limani: Drama “Dodona”, është kulmi i asaj që deshta të prezantojë një vepër kombëtare me dimension të teatrit. Jo të teatrit në kuptimin e thjeshtë të fjalës, por të ritmit bashkë me vallëzimin, muzikën, ritualet, gjamën, muzat, shtojzovallet…që teatri është një shkencë, një det i gjerë, pak më tepër se fjala. Teatri është sintezë e barabartë e të gjitha arteve të tjera. Përveç fjalës ka muzikën, vallëzimin, ritmin, kostumografinë, skenografinë, arkitetkurën, ka elemente të tjera që kanë të bëjnë me magjinë e së bukurës. Në dramën “Dodona”, shoh një periudhë të gjatë tetë, dymbëdhjetë ose gjashtëmbëdhjetë mijë vjet, periudhë që nga Thoti, kur zbriti para pellazgëve në krahët e shqiponjës, në një vend që më vonë quhet Iliria apo Pellazgia, e më vonë u transformua në Arbëria në Shqipëria. Pra, shenjat e një identiteti që vjen nga lashtësitë.

Radio Kosova: A mos ju udhëheq poezia e  Nënës Terezë ”Dua të kthehem në Shqipëri”?

Xhevat Limani: Jam njohës i mirë i poezisë dhe e lexoj me shije meqë aktori, artisti është artist, pa e njohur sublimen poetike dhe pa e njohur gramatikën, fonetikën, semiologjinë, leksikologjinë…pa i njohur figurat stilistike, tropet, etj, e ka shumë të vështirë. Kam pasur fatin dhe kënaqësinë të jetoj në qytetin e lindjes së Nënës Terezë, meqë merresha me teatrin. Do të them një sekret të vogël që, teatrin e parë në Shkup më 1932 e ka ndërtuar Nikollë Bojaxhiu, babai i Nënës Terezë, i cili ishte shqiptar shumë i madh dhe përfaqësues në Parlamentin e Mbretërisë serbe në atë kohë. Pra, Nëna Terezë, u edukua në frymën e një babai, i cili, dihet që u helmua nga klika e Mbretërisë serbe, dhe Nëna Terezë e ka mbajtur gjithmonë këtë dhembje, këtë plagë. Jo rastësisht, nga e keqja e madhe që i ndodhi babait dhe familjes, ajo u ushqye me ndjenjën e madhe për të mirën e njerëzimit, konceptin e humanists. Kjo është pasaporta e humanizmit në botë dhe është identiteti ynë që na prin në botën e civilizuar. Titulli “Dua të kthehem në Shqipëri”, i hedh poshtë të gjithë dashakqinjt dhe agjenturat që duan t’ia shembin identitetin shqiptare. Vet fakti që ajo thotë: “Dua të kthehem në Shqipëri”, ajo e njeh atdheun e vet. E dyta, ajo thotë: Dua të kthehem aty dhe dymbëdhjetë figura shenjtësh të ndërtoj në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë dymbëshjetë të tjerë, për ta larguar të keqen nga atdheu im”. Këto vargje monumentale, sot janë shumë aktuale. Të gjithë ata përfaqësues që janë të zgjedhurit e popullit shqiptar, duhet të kenë më tepër vision, ta njohin këtë varg momumental, t’i kthehen dashurisë së atdheut dhe t’i shtrohet një pyetje, ashtu siç ka thënë babai i shtetit amerikan Xhen Kenedi: “Mos pyesni asnjëhërë çfarë bën Amerika për ju, por pyet veten se cfarë bën ti për Amerikën”. Pra, ne duhet t’i kthehemi vetëdijes së kontrolluar dhe të gjithë këta njerëz janë në gjendje të shkelin me këmbë mbi ëndërrimin shqiptar vetëm e vetëm që gjoksat e tyre të duken mbi sipërfaqe.

 

Radio Kosova: Si e keni mishëruar ju, identitetin e njerëzores dhe shqiptarit me artistin?

Xhevat Limani: Kam kryer studimet në Universitetin e Prishtinës, Aktrimin dhe Letërsinë dhe kam punuar në Shkup. Kam pasur profesorë shumë të mirë që nga Anton Çetta e deri tek profesori i aktrimit, Faruk Begolli. Kam pasur privilegjin dhe kënaqësinë të takojë shumë personalitete, në atë kohë Eqrem Qabejn e shumë pedagogë që vinin nga Shqipëria. Shumë personalitete të ngritjes dramatike e artistike që nga Teki Dervishi, Jusuf Gërvalla, Beqir Musliu, Anton Pashku, etj. Mendojse  arti shqiptar dalngadalë filloi të kthehet në lugun e vet, në sofrën e madhe. U shemb ish Jugosllavia dhe shqiptarët filluan t’i shembin kufijt. Më parë se politikat, filluam të komunikojmë, të luajmë shfaqje bashkë dhe ky komunikim kulturor – shpirtëror, është shumë i ndjeshëm dhe duhet që të vazhdojë. Të mos jetë peng, apo pre e politikanëve pa vizion kombëtar. Jo të vijn në shprehje ambiciet e tyre, por të vijnë ëndrrat dhe aspiratat e popullit shqiptar, që është popull i zoti dhe shumë i mirë.

Radio Kosova: Si i shihni akademitë e shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë?

Xhevat Limani: Pa dashur që të fyej, mendoj që institucionet dhe Akademia e Shkencës së Shqipërisë dhe Kosovës, duhen të merrën më tepër me identitetin kombëtar, e jo me projekte të myshqeve dhe të liqeneve, që nuk janë aq shumë të rëndësishme në momentin kur shqiptarët janë në udhëkryq: të bëhën apo të ç’bëhen?! Këto dy institucione, nuk po e luajnë rolin e duhur. Mirëpo, është një fat i mirë, kjo është protesta ime intelektuale, që njerëzit apo edhe akademikët, të mos e them me fyrje akademykët, janë të lindshëm dhe të vdekshëm, dhe do të zëvendësohen nga të tjerët. Askush nuk e ka tapinë që Akadaminë ta marrë me vete. Ne tentojmë të bëjmë diçka për kombin, për atdheun, për shtetin sepse kohë të gjatë ishim skllevër, nën tirani, nën okupim dhe një pjesë e madhe, ende është në okupim. Identiteti i Kosovës ende nuk është aq i qartë. Në Kosovë janë tri qeveri. Është Qeveria e UNMIK-ut, Qeveria e EULEX-it, dhe Qeveria e Kosovës. Sado që të deklarohet Qeveria e Kosovës, ka sanksione nga komunitetet ndërkombëtare. Akademikët ende nuk deklarohen me tingull të qartë. Ka shumë mjegull. Duhet të krijohet një popull kosovar, që janë të gjithë shqiptarë?! Tani, edhe para UNESCO-s, ka dilemma. Që të shkosh si një kulturë tjetër, duhet të dëshmosh se kjo kulturë është pjesë vazhdimësie apo pjesë përbërëse e integritetit kulturor të një kombi. Të Pellazgisë, Ilirisë, Dardanisë e të tjerat me radhë. Nuk mund të krijosh brenda ditës komb, gjuhë dhe identiet. Mund të krijohen shtete, por jo kombe, jo gjuhë. Gjuha mund të ketë plotë dialekte, por patjetër duhet të ketë një gjuhë zyrtare. Gjuha letrare është një proces i gjallë, mund të plotësohet, por jo me gjuhën të merren jo gjuhëtarët, komandantët e gramatikave.

Radio Kosova: Keni luajtur figura të ndryshme artistike në teatër dhe në film. Çka keni dhënë nga vetja dhe në çka jeni mbështetur në përvojën botërore për ndërtimin e këtyre figurave?

Xhevat Limani: Unë kam filluar nga zeroja dhe të gjitha ngjitjet, shkallët e artit në profesionin tim, i kam bërë me mundin tim, me dijen time dhe natyrisht me ndihmën e pedagogëve. Kam besuar shumë në libra, në gen babe, në qumësht nëne dhe në dhunti perëndie. Si verifikim, kam pasur duartrokitjet e publikut, të popullit tim, i cili në atë moment kur më ka duartrokitur, do të thotë që e ka provuar atë që e kam krijuar unë. Të krijosh një personazh, do të thotë të njohësh antropologjinë, arkeologjinë, folklorin e popullit tënd, këngën, ritmin, vallen, pikturën, arkitekturën, letërsinë, fjalën e shenjt, etj, dhe të njohësh psikologjinë, karakterin, dimensionin, filozofinë dhe gjithë strukturën emblematike të një identiteti të qartë. Pra, aktorit i duhet të merret më gjithë këtë gamë të gjerë. Ka personazhe, të cilët janë të vdekur para dy ose tre mijë vjetetëve ta zëmë. Është shumë lehtë me personazhet, për të cilët ke të dhëna tani, por ke edhe personazhe, për të cilët nuk ke të dhëna. Aty, natyrisht duhet të ftohet në ndihmë antropologjia, arkeologjia, historina…kërkohet imagjinatë, kërkohet ndihmë dhe këshilltarë. Aktori thërret në ndihmë përveç të vërtetës historike edhe të vërtetën imagjinative, kreative, krijuese. Aktori në imagjinatën e tij, duhet ta ndërtoj një personazh, për të cilin nuk e di se si ka folur, si ka qarë, si ka qeshur e menduar. Nuk e di si është veshur, si ka ecur, si është gëzuar, hidhëruar e revoltuar, se si e ka shprehur shpirtin e tij kryengritës. Nuk e di se si ka sjellë vendime për të qenë edhe vrasës për t’i dalë zot familjes, tempullit, fisit apo ushtrisë. Të gjitha këto kanë të bëjnë me një dimension që quhet, diagram i personazhit. Në të gjitha këto shkallë, aktori futet të notojë në një det të turbullt. Është shumë e rëndësishme se a do t’ia dalë aktori ta ndërtoj personazhin. Nuk ka publik që nuk kupton. Ka vetëm aktorë që din, apo nuk din të luajnë.

Radio Kosova: Pse është teatri në krizë?

Xhevat Limani: E para, në shkollat teatrore futen individë pa talent, futen me ndihma, me miqësi, me ndihma farefisnore dhe me intervenime partike, politike e shtetërore. E dyta, është se teatri si institucion, nuk ndihmohet nga shteti. Pa buxhete në formë institucionale shtetërore, nuk mund të funksionojë. Teatri, nuk mund të krijojë vepra të improvizuara sepse improvizimi të çon në shëmti. Është dhe faktori i tretë, që është i dhimbshëm. Teatri tani, e ka humbur dimensionin e vet. Shikuesit ia mori televizioni së pari, mirëpo televizioni dalndadalë po e humb këtë betejë, meqë parlamentet tona, për fat të keq, janë shndërruar në teatër satirik. Satira është niveli më i lartë i teatrit. Sharja në emër të personazheve për të shmangur, për të ç’rrënjosur virtytet e dobëta të një populli që të finsikërohet ai. Këto sharje, këto veprime të shëmtura, për fat të keq, po ndodhin në skenën e quajtur Parlament, apo në Kuvend. Them Kuvend, se aty kuvendohen gjërat e bukura, mendje ndriturit. Këta individ, në vend që me menjdet e tyre të ndritura të gjykojnë në emër të ligjeve për të zbukuruar jetën dhe demokracinë, se demo do të thotë popull dhe kracia t’ia zbukurosh jetën popullit, kanë zënë sikut t’ia nxijnë jetën popullit, sikur të turpërohet populli nga të zgjedhurit e tyre. Të zgjedhurit e popullit duhet të mendojnë pak. Nuk kanë nevojë të bëjnë skena teatrore, këtë le t’ia lënë teatrit. Teatri pastaj do të gjej modalitete për t’i fisnikëruar shpirtërat, për t’u dhuruar vepra artistike dhe kreacione artistike popullit të vet. Kuvendarët, politikanët, duhet që në emër të forcës së bindjeve, t’i sjellin ato ligje, që do të jenë në të mirë të popullit.

Radio Kosova: Si të gjithë shqiptarët, ndodheni në një mjedis kontraditash të ashpëra politiko- shoqërore. Cili është përjetimi dhe angazhimi juaj në këto aspekte?

Xhevat Limani: Së pari dua të them se nuk kam ambicie politike. Sado që njeriu të merret me profesionin e vet, Aristoteli ka thënë diçka që është e pashmangshme: “Fati ynë është politika”. Politika, po të analizosh nga kuptimi i fjalës “polli thika”, është gjë shumë e dhimbshme, sepse në emër të kësaj duhet të vendosësh fatin e qytetarëve për atë koncept të jetës që Zoti ua ka dhënë dhuratë. Kur të jesh në krye të një institucioni, të një shteti, të Kuvendit, të Qeverisë, duhet të kesh vetëdije të kontrolluar. Andaj, kjo vetëdije e kontrolluar, sikur nuk funksionon siç duhet. E dyta, ne ende nuk kemi platformë kombëtare. Për fat të keq, udhëheqësit tanë kanë pak këshilltarë. Sikur i shmangin personalitetet që kanë karizëm të veçantë, të ditur. Mendoj që duhet të marrin sa më shumë këshilltarë. Presidenti i SHBA-së, ka mbi 300 këshilltarë të paguar, por i ka dhe këshilltarët kundërshtarë, nga të cilët mëson shumë. Duhet të respektohet edhe kundërshtari. Politikanët tanë duhet të din si të shmangen, të mos bien në kurthat e emocioneve të miqve, kushërinjve, dajallarëve…nëpër diplomaci duhet t’i çojnë individët, të cilët kanë merita dhe që janë të armatosur me dije e jo njerëzit, të mos themi se janë mallkim, sepse na bëjnë shumë dëme.

Radio Kosova: Jetoni dhe veproni në Amerikë. Pyetje intime. Si e ndjeni veten atje?

Xhevat Limani: Unë jam artisti pa atdhe. Sa herë që vij në Maqedoni, pas një atentati që më kanë bërë në vititn 2002, jam i padëshiruar, jam në mbrojtje të shtetit amerikan. Pas pavarësisë së Kosovës, mbetem pa elemente shtetësie të Kosovës dhe kur duam që të konkurojmë me vepra, ne nuk mund të konkurojmë e të jemi të barabartë me shtetasit e Kosovës. Kur shkojmë në Shqipëri, na thonë shkoni atje në Maqedoni. Janë shumë skena, të cilat njeriu duhet të ketë durim e t’i kapërdijë. T’i kapërdijë së pari si njeri, pastaj si shqiptar, e pastaj si artist. Unë jam në një vend të bekuar, në SHBA, ku është djepi i lirisë dhe i demokracisë. Është dhuratë perëndie dhe më vjen keq për gjyshërit tanë e baballarët, të cilët nuk kanë pasur fatin dhe mundësinë që ta shijojnë lirinë dhe demokracinë e SHBA-ve. Nuk ka si SHBA. Kam shetitur 150 shtete të botës me teatrin, mund të ketë vende të vogla që shkëlqejnë, por siç funksionon liria dhe demokracia në SHBA, nuk njoh asnjë vend në botë. Për mua, Shtetet e Bashkuara të Amërikës, janë vendi i ëndërruar.

Radio Kosova: A keni përfytyrime, mendime apo dhe një program vetjak për të ndikuar, përveç në botën e artit edhe në gjendjen politiko – shoqërore, të shqiptarëve në përgjithësi?

Xhevat Limani: Unë jam aktor, regjisor, dramaturg e shkrimtar. Natyrisht që kam shumë libra në kokë. Unë nuk merrem me politikë, por për këshilla pa pagesë, qoftë Qeveria e Kosovës apo shteti shqiptar, apo cilido institucion qoftë, jam i gatshëm. Ato i quaj si kontribut timin. Por, nuk e di a kanë nevojë udhëheqësit tanë për ato këshilla. Natyrisht, kam shumë gjëra për të thënë dhe nuk jam pa përvojë as që nuk di. Nuk jam modest sepse nëse nuk di sot, kur të jem i vdekur natyrisht nuk do të dij asgjë. Kjo varet shumë nga institucionet. Meqë deri tani nuk më janë ofruar, unë veproj kudo që shkoj si instutucioni Xhevat Limani. Unë jam Institucioni Xhevat Limani.

Radio Kosova: Cilat janë planet dhe mundësitë e juaja për të ardhmen?

Xhevat Limani: Kam shumë energji. Më janë ofruar disa projekte nga Tempulli i Shenjt për filmin dhe teatrin. Nuk dua të flasë në mënyrë paragjykuese, por besoj që brenda një kohe, do të dëshmojë me tingull shumë të qartë, me vepra të pjekura, të arrira. Nuk e kam thënë fjalën e fundit, kam edhe shumë gjëra për të thënë. Aty ku kam vënë gishtin dhe qëllimin tim, ëndrrën time, pas atentatit që më kanë bërë, Perëndia më ka ndihmuar që të mbetem gjallë. E ka ditur që nuk e kam kryer misionin tim dhe që kam edhe shumë vepra për të dhënë. Besoj që e ardhmja do të flasë vet dhe do të dëshmojë.

Radio Kosova: Diçka për fund të kësaj bisede?

Xhevat Limani: Takoj shumë njerëz brenda ditës dhe çdo mbrëmje shkruaj ditar. Marr nga çdo individ gjërat që më pëlqejnë, pastaj i shoshis, i sistemoj, i shkruaj. Dua të dëshmojë. Ajo që më mbush me energji dhe që më mbanë, është dashuria ndaj popullit tim. Unë e dua popullin tim pa marrë parasysh a është në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Çamëri, në Evropë, SHBA, etj…Unë e dua popullin tim.

Radio Kosova: Faleminderit! RTK/