Zaev: Ndodhemi para finales, Gruevski shkon në histori –

Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonise (LSDM) Zoran Zaev në kongresin e 19 të partisë së tij paralajmëroi se zgjedhje do të ketë vetëm nëse arrihet të përmbushen të gjitha parakushtet e domosdoshme. Sipas Zaevit VMRO-DPMNE-ja dhe Nikolla Gruevski janë të frikësuar, gjë që po reflektohet edhe në zvarritjen e procesit të bisedimeve të grupeve të punës.

Zaev tha se më 24 prill nuk do të lejohet vjedhja e zgjedhjeve ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën.

“Jemi në finale. Finale e cila i dërgon Nikolla Gruevskin dhe pushtetin shkatërrues në histori. Kjo tashmë po ndodh. Po, ata po e zvarrisin procesin e bisedimeve. U dhimbset lëkura, por e kanë të njollosur deri në kockë. Çfarë të bëjnë? U nevojiten zgjedhje të reja kriminale. Por, vjedhje edhe të një cikël zgjedhjesh nuk do të ketë. Marrëveshje për shkak të marrëveshjes nuk është opsion. Nevojitet proces i pastër parazgjedhor dhe zgjedhor. Nuk ka ikje nga marrëveshja e Përzhinos. Prokuroria e posaçme është formuar, qeveria kalimtare është formuar, ndërsa për disa ditë do të ikë edhe Nikolla Gruevski”, tha lideri i opozitës maqedonase.

Në pjesën ekonomike, Zaev paralajmëroi se programi i partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme do të përmbajë ndërtimin e 600 kilom etrave autostradë, e tërë Maqedonia do të ngrohet me gaz, heqjen e testimit ekstern dhe rroga më të larta për mjekët.

“Do ta heqim taksën e radiodifuzionit, do e kthejmë tarifën e lirë të energjisë elektrike, do tu krijojmë kushte për punë mediave të lira dhe profesionale, në vend të megafonave partiak në çka i shndërroi ky pushtet pjesën më të madhe të mediave. Do të aplikojmë sistem të drejtë tatimor”, porositi Zaev.

Ai gjithashtu paralajmëroi mbajtjen e regjistrimit të popullsisë, dhe tha se LSDM mbetet e përkushtuar për integrimin e vendit në BE dhe NATO.

Programi partiak me të cilin opozita do të garojë në zgjedhjet e ardhshme të 24 prillit, do të duhet të miratohet në kongresin e partisë që zhvillohet sot ku marrin pjesë 90% e delegatëve partiak./lajmi